Sulmi pranë aeroportit të Kabulit, dëshmitari: Njerëzit fluturonin kudo

Përditësuar më: 26/8/2021, ora 20:11
KR SULMI KABUL frame 979 1024x576

Sulmi pranë aeroportit të Kabulit, dëshmitari: Njerëzit fluturonin kudo

Përditësuar më: 26/8/2021, ora 20:11

Ashtu siç ishte paralajmëruar, më e keqja ndodhi. Dy shpërthime të fuqishme, njëra pas tjetrës, u regjistruan në afërsi të aeroportit të Kabulit në Afganistan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan disa viktima dhe të lënduar nga sulmi kamikaz dhe me të shtëna armësh.

“Mund të konfirmojmë se shpërthimi në portën Abbey erdhi si rezultat i një sulmi kompleks që shkaktoi një numër të prekurish, amerikanë dhe civilë. Mund të konfirmojmë gjithashtu edhe të paktën një tjetër shpërthim pranë hotel Baron”, tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.

Mediat raportojnë për të paktën 13 viktima dhe mbi 60 të plagosur, një bilanc që duket i destinuar të rritet. Mes atyre që humbën jetën janë dhe fëmijë, ndërsa mediat konfirmojnë se të dëmtuar kanë mbetur dhe anëtarë të misionit të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, që ishin stacionuar pranë zonës së sulmit. Dëshmitarët rrëfejnë skenat e horrorit që përjetuan.

“Ku isha unë papritmas ndodhi një shpërthim. Kishte njerëz të prekur kudo dhe nga shpërthimi njerëzit fluturonin në ajër, kokat e tyre u shkatërruan. Pati edhe ushtarë të huaj të prekur. Aty po qëndronin të paktën 400 ose 500 njerëz”, tha një dëshmitar.

Për vendet europiane, sulmi është tregues që Afganistani nuk është më një vend i sigurt dhe duhen tërhequr menjëherë misionet. Por mundësitë për evakuime po shterohen gjithnjë e më shumë.

“Dukshëm që tensionet po rriten shumë. Ne të gjithë e kemi ditur atë rrezik që nga fillimi, duke pasur parasysh konfuzionin në Kabul dhe tensioni ka qenë atje që nga fillimi në aeroportin ushtarak. Orët e ardhshme do të mbeten jashtëzakonisht të rrezikshme në Kabul dhe në aeroport”, deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron.

Sulmi ka alarmuar qeveritë e shteteve perëndimore. Presidenti amerikan, Joe Biden, mbajti një mbledhje me Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe do të informohet vazhdimisht për situatën në Afganistan.