Nga “apokalipsi i ajrit” te qiejt blu, si e fitoi Pekini betejën me smogun

Përditësuar më: 28/8/2021, ora 12:41

Nga “apokalipsi i ajrit” te qiejt blu, si e fitoi Pekini betejën me smogun

Përditësuar më: 28/8/2021, ora 12:41

Pekini dikur njihej si një nga qytetet më të ndotur në botë, me smog të dendur dhe mjegull, një realitet i përditshëm për banorët.

Tani, qielli i tij është kryesisht blu, një shenjë kjo që kryeqyteti kinez po hyn në një epokë të re të ajrit të pastër, deklaroi Ministri i Ekologjisë dhe Mjedisit i vendit të Mërkurën e kaluar.

“Bluja e Pekinit gradualisht është bërë norma jonë e re,” tha Huang Runqiu, pasi qyteti regjistroi cilësinë e tij më të mirë mujore të ajrit që kur filluan regjistrimet në 2013.

Megjithëse qytetet kineze kanë kryesuar prej kohësh renditjen globale të cilësisë më të keqe të ajrit në botë, ato kanë treguar përmirësim të vazhdueshëm gjatë viteve. Pekini regjistroi vetëm 10 ditë ndotje të madhe të ajrit vitin e kaluar, një rënie prej gati 80% që nga viti 2015.

Ndërkaq, fotografitë e fundit nga Pekini tregojnë qiell të kaltër dhe diell veror, dikur një gjë e rrallë në qytetin me afërsisht 21 milionë banorë.

Kthesa në cilësinë e ajrit në Pekin ilustron se sa e suksesshme ka qenë fushata e vendit kundër ndotjes që kur filloi në vitin 2013-viti i “opkalipsit” famëkeq të Pekinit, kur smogu u bë aq i keq sa nivelet e PM2.5, një ndotës mikroskopik, arriti në 900 mikrogramë për metër katror , 90 herë më i lartë se niveli i rekomanduar ditor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Apokalipsi ajror tërhoqi vëmendjen e mediave globale por dhe të banorëve vendas. Për vite me radhë, ndotjes në kryeqytet ata i referoheshin si “mjegull”, por tani, të ndërgjegjësuar me informacione të reja mbi efektet e rrezikshme të cilësisë së dobët të ajrit, banorët nuk janë më të gatshëm të tolerojnë ditët e frymëmarrjes së rënduar.

“Nuk ishte thjesht kolla irrituese e Pekinit që po shqetësonte banorët çdo ditë – ishte diçka shumë më e keqe. Kur ata kolliteshin, ishte një shenjë se ata po merrnin grimca që çojnë në sëmundshmëri dhe vdekshmëri. Dhe unë mendoj se njerëzit filluan ta shohin çështjen e cilësisë së ajrit shumë ndryshe në vitin 2013.” tha Daniel Gardner, profesor në Smith College dhe autor i “Ndotja e mjedisit në Kinë: Ajo që të gjithë duhet të dinë.”

Terma të tillë si PM2.5 shpejt u bënë pjesë e fjalorit të përditshëm, pasi njerëzit filluan të rregullojnë jetën e tyre rreth niveleve të ndryshme të ndotjes. Dhe ndërsa ndërgjegjësimi publik u rrit, protestat kundër uzinave të qymyrit nise të shfaqen në qytete si Kunming dhe Shenzhen.

Asokohe, Global Times raportoi se zemërimi publik po “devijonte” rritjen ekonomike të vendit por, Gardner tha se qeveria tashmë kishte filluar të ndryshonte mentalitetin e saj.

Xi Jinping, i cili u bë president në Mars 2013 vetëm dy muaj pas apokalipsit, pa një mundësi. Duke u zotuar për të pastruar ndotjen, ai mund të fitojë mbështetjen publike, të përmirësojë imazhin e goditur ndërkombëtar të Kinës, të tërheqë turistët e shqetësuar dhe punëtorët e huaj dhe t’i japë vetes një reklamim të mirë të menjëhershëm.

“Kriza e parë që vjen në tryezën e tij është apokalipsi i ajrit. Nuk ishte vetëm Pekini, ishte në të gjithë Kinën veriore dhe bëri bujë”, tha Gardner. “2013 ishte një pikë kthese e rëndësishme për qëndrimin ndaj ndotjes pasi qeveria po e thoshte hapur se do ta linte pas politikën e rritjes ekonomike me çdo kusht dhe do lëvizte në këtë drejtim të ri ku ka harmoni midis rritjes ekonomike dhe administrimit të mjedisit.”

Duke filluar nga ai vit, qeveria investoi miliarda dollarë në një plan kombëtar veprimi për ndotjen e ajrit. Ai nxorri rregullore të reja, krijoi stacione mbikëqyrëse mbarëkombëtare të ajrit dhe filloi të mbyllte minierat e qymyrit dhe fabrikat e qymyrit. Në vitin 2014, Kina kishte shpallur një “luftë kombëtare kundër ndotjes”.

Në fillim, Pekini toleroi protestat publike sepse ato ishin të lokalizuara, dhe kryesisht përqëndroheshin në fabrika dhe termocentrale të veçanta në lagjet e protestuesve, ose te zyrtarët lokalë që kishin shkelur rregulloret mjedisore.

Por kjo shpejt filloi të ndryshojë pasi protestat morën një shtrirje më të gjerë-të nxitur pjesërisht nga “Under the Dome”, një dokumentar i vitit 2015 që kritikoi kompanitë shtetërore, zyrtarët e korruptuar dhe ministritë qeveritare për rolin e tyre në krizën e cilësisë së ajrit. Më shumë se 200 milionë njerëz e panë dokumentarin brenda javës së tij të parë, duke shkaktuar debat të ashpër në internet para se censuruesit ta ndalonin atë tërësisht.

“Ajo për të cilën unë mendoj se qeveria ishte e shqetësuar, është një lëvizje që bëhet kombëtare,” tha Gardner. “Ata mësuan se njerëzit në Pekin, në Kunming dhe Lanzhou, në çdo pjesë të Kinës, duke parë të njëjtin dokumentar dhe duke dëgjuar të njëjtin mesazh. Unë mendoj se perceptimi tani ishte se objektivi mund të rritet, dhe të shkojë përtej protestave lokale, nëse kjo lejohet të vazhdojë “.

Ndërsa Partia Komuniste në pushtet, e kryesuar nga Xi, forcoi kontrollin e saj mbi shoqërinë civile dhe goditi aktivizmin shoqëror, policia mbylli me shpejtësi protestat mjedisore në Chengdu në 2016 dhe në Ëuhan në 2019 . Disa dokumentarë të tjerë mbi çështjet mjedisore si mbetjet plastike u ndaluan gjithashtu.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Xi krenohej me fushatën e Kinës kundër ndotjes, shpesh duke mbyllur fabrikat dhe duke kufizuar numrin e makinave në rrugë për të siguruar qiellin blu gjatë ngjarjeve të rëndësishme siç është samiti i udhëheqësve të Azisë Paqësorit 2014.

Pavarësisht nga përmirësimet, ka ende rrugë të gjatë për të bërë, qiejt blu të përkohshëm shpesh zëvëndësohen nga smogu i dendur. Dhe është e vështirë të dihet nëse përmirësimet po shihen në të gjithë vendin apo nëse ndotja thjesht po largohet nga Pekini diku tjetër. Ambjentalistët gjithashtu duhet të jenë të kujdesshëm që të mos kalojnë asnjë vijë të kuqe politike, që të mos zemërojnë qeverinë qendrore.

Por krahasur me Pekinin e dikurshëm me tym, është e qartë se përpjekjet e përbashkëta kanë dhënë rezultate-ndoshta një nga të paktat herë në vitet e fundit kur zemërimi publik ka nxitur me sukses autoritetet kineze të veprojnë, edhe pse ato përpjekje u menaxhuan me kujdes dhe u shtypën shpejt.