Nga Kabuli në Qytetin Studenti, gazetari afgan tregon për A2 CNN pse ra shteti: Korrupsioni në çdo qelizë shkatërroi Afganistanin

Përditësuar më: 1/9/2021, ora 08:40

Nga Kabuli në Qytetin Studenti, gazetari afgan tregon për A2 CNN pse ra shteti: Korrupsioni në çdo qelizë shkatërroi Afganistanin

Përditësuar më: 1/9/2021, ora 08:40

Nuk na e tha emrin, por pranoi të fliste për kamerën tonë të A2. Me profesion gazetar, në një prej gazetave më të lexuara në Afganistan, një prej të ardhurve thotë se ishte pikërisht korrupsioni shumë i madh në sfera të larta e deri në strukturat më poshtë të shtetit afgan, ai që çoi në këtë kaos.

Ai është një prej afganëve i cili ka mbërritur mbrëmjen e 28 gushtit në Shqipëri. Pas marrjes në kontroll të Afganistanit nga talebanët, ai iu drejtua aeroportit të Kabulit së bashku me gruan e tij, ku më pas u krye edhe evakuimi i tyre. Aktualisht është duke qëndruar në një prej godinave në Qytetin Studenti, ku shprehet se deri më tani, kushtet janë shumë të mira. Në Afganistan ai punonte si gazetar në njërën prej gazetave më të lexuara atje. 

Ai ndihet i tradhtuar nga qeveria afgane, e cila u largua pasi talebanët mësynë në të gjithë vendet në Afganistan. Sipas tij, ata ishin shumë të korruptuar edhe pse në media artikulimi për luftën kundër korrupsionit nuk mungonte.

Pas zhgënjimit të madh me qeverinë e Afganistanit, personazhi ynë thotë se kohët e fundit gjendej mes dy zjarresh: nga njëra anë rënia e shtetit brenda pak orësh dhe nga ana tjetër ardhja e menjëhershme e talebanëve, me gjithë platformën e tyre që, sipas tij, është totalisht kundër të drejtave të njeriut.

Aktualisht, gazetari është vetëm me gruan e tij, pasi familja nuk gjeti asnjë mënyrë për t’u larguar, duke u dorëzuar plotësisht në duart e talebanëve dhe rron me frikën se çdo ditë mund të jetë e fundit për ta.

Mëngjesin e së dielës mbërritën në aeroportin e Rinasit dy avionë të tjerë me refugjatë afganë, mes të cilëve edhe fëmijë. Nga bordi i njërit prej tyre, të ulur në pistë në orën 3:50, zbritën 154 vetë.

Sipas burimeve zyrtare, 108 prej tyre u vendosën në godinat e përcaktuara për ta në Qytetin Studenti, ndërsa pjesa tjetër në hotele në Durrës. Me avionin e fundit të mbërritur nga Afganistani, i pesti në radhë i mbërritur brenda 72 orëve, erdhën 28 persona. Pas kryerjes së procedurave në aeroportin e Rinasit, ata u shoqëruan drejt Tiranës. Deri më tani, totali i qytetarëve afganë të mbërritur në Shqipëri pas ardhjes në pushtet të talebanëve në vendin e tyre, është 475 vetë.