Basha: Sfida, kthimi i demokracisë dhe legjitimitetit në vend

basha 1100x620

Lulzim Basha, me anë të një postimi në Facebook, deklaroi se e sotmja ishte ditë e rëndësishme për Partinë Demokratike dhe shtoi se “demokratet dhe demokratët i dhanë besimin Kryesisë dhe ekipit të ri për të çuar përpara një sfidë që nuk është thjesht partiake, por kombëtare, atë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend”.

“E sotmja është një ditë e rëndësishme për Partinë Demokratike. Demokratet dhe demokratët i dhanë besimin Kryesisë dhe ekipit të ri për të çuar përpara një sfidë që nuk është thjesht partiake, por kombëtare, atë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Hapja dhe bashkëpunimi i Partisë Demokratike me shoqërinë do të jenë në qendër të reformimit tonë të brendshëm dhe bashkë me shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim, do të ndërtojmë një Platformë Qytetare për Demokracinë, për zgjedhje të lira, për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor. Vetëm kështu mund t’i japim fund kapjes së shtetit dhe sundimit të kësaj pakice të korruptuar e ta bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm për familjet shqiptare”, shkruan Basha në Facebook.