Bombardimet në Afganistan, SHBA do të hetojë për vdekjet e civilëve në Kabul

Bombardimet në Afganistan, SHBA do të hetojë për vdekjet e civilëve në Kabul
Sulmi amerikan me dron që shënjestroi një kamikaz vrau 10 anëtarët e një familje në Kabul të Afganistanit, përfshirë 6 fëmijë. Konfirmimi erdhi nga të afërmit që mbijetuan, që saktësojnë se mes viktimave ishte dhe një vajzë dy vjeçare.
Në shënjestër ishte një automjet i parkuar pranë banesës së tyre dhe sipas ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, brenda qëndronte një anëtar i grupimit afgan të ISIS dhe një sasi e madhe eksplozivi.
Disa nga viktimat kanë punuar për organizata ndërkombëtare dhe posedonin viza për udhëtim
drejt Amerikës.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, konfirmoi se lidhur me bombardimin dhe vdekjet mes civilëve do të hapet një hetim.
“Të mos bëjmë asnjë gabim, asnjë ushtri në faqen e dheut nuk punon më fort të shmangë
viktimat në civilë se sa ajo e Shteteve të Bashkuara dhe askush nuk dëshiron që
të shohë jetë të pafajshme të humben”, u shpreh Kirby.
Në aeroportin e Kabulit vijon ende evakuimi i personave, pavarësisht se situata është përkeqësuar. Gjatë të hënës u lëshuan 5 raketa në drejtim të këtij lokacioni, konfirmoi një zyrtar i ushtrisë amerikane për CNN.
Ai saktësoi se sistemi i mbrojtjes i vendosur në aeroport bëri që raketat të asgjësoheshin pa shkaktuar viktima apo të lënduar.
Ndërkohë, kriza humanitare në Afganistan që shpërtheu pas marrjes së kontrollit të vendit nga talebanët sa
vjen e përkeqësohet. Organizata Botërore e Shëndetësisë, dorëzoi dhe ngarkesën e parë me pajisje mjekësore. Nga kjo dërgesë mund të mjekohen mbi 200 mijë persona.