Futbolli, terapia e 14-vjeçares me autizëm

E diagnostikuar me autizëm dhe me një sjellje të ashpër me shoqet, tashmë 14-vjeçarja ka pësuar një transformim rrënjësor, falë lojës se bukur të futbollit. Prej 4 vitesh pjesë e ekipit U15 të Elbasanit, Anja tashmë është sulmuese dhe golashënuese. Asaj jo vetëm i pëlqen futbolli, por ka krijuar respekt dhe frymëzim edhe për shoqet e skuadrës.

Futbolli nuk është sport magjik vetëm për emocionet që të fal në fushën e lojës. Por, edhe për mënyrën se si i formon të rinjtë dhe i ndryshon ato në krijimin e respektit dhe marrëdhënies së mirë me shoqërinë. Për Anjën, 14 vjeçe nga Elbasani, e cila është diagnostikuar me autizëm, futbolli ka bërë atë që shumë pak persona mund ta besonin.

Ajo tashmë renditet ndër më të mirat e ekipit ku bën pjesë. Dhe nga shkallët e spektatorëve ajo nuk ka asnjë ndryshim nga shoqet e saj me të cilat ka vite që stërvitet. Anja na tregon vetë se si i hyri rrugës së futbollit, duke treguar respekt dhe mirënjohje edhe për shoqet e skuadrës: “Në shkollë luaja basketboll, futboll dhe volejboll. Të gjitha i luaja. Shoqet janë shumë të mira, të talentuara”.

Edhe për shoqet e skuadrës, Anja është një frymëzim. Ato nuk ngurrojnë të shprehen se mirësjelljen që i japin asaj e marrin mbrapsht në të njëjtën mënyrë nga Anja.

Integrimi i Anjës në ekipin e futbollit ka qenë një sfidë më vete edhe për trajnerin Ilir Hoxha, i cili kujton ditët e para të Anjës në stërvitje dhe përparimin e saj të padiskutueshëm, si në sjellje ashtu edhe në lojën e bukur të futbollit.

Madje, trajneri nuk mban dot as lotët kur flitet për Anjën.

Tanimë, dëshira e Anjës, si e çdo futbollisteje tjetër, është të ngjitet sa më lart në futboll, me shpresë dhe modesti.