A2 SPECIALE

Korrupsioni legjislativ

A2 CNN | Investigative Network Albania

Me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shqipëri

Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me nivelin më të ulët në luftën kundër korrupsionit. Ky fenomen kriminal në financat publike shqiptare ka evoluar përgjatë 30 viteve të fundit. Nga korrupsioni më banal, ai i ofrimit të parave në dorë, e te më i sofistikuari, si kapja e shtetit.

Pavarësisht se raportet e organizatave ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë ndër vendet me nivelet më të larta korruptive, Tirana zyrtare e mohon ekzistencën e kapjes së shtetit.

Në sistemin tonë kushtetues, Shqipëria është Republikë Parlamentare. Parlamenti përfaqëson pushtetin Ligjvënës, ndërsa Qeveria pushtetin Ekzekutiv që menaxhon funksionimin e shtetit. Pushteti i tretë është gjyqësori dhe të tria duhet të jenë të ndara dhe të balancojnë njëra-tjetrën. Por cili është realiteti shqiptar në raport me parimin “chek and balance”? Një përgjigje konkrete e jep Transparency International, organizata që ka analizuar fenomenin e kapjes së shtetit nëpërmjet ligjeve me porosi, i njohur si korrupsioni legjislativ.

Raporti është munduar të analizojë ose të zhbëjë mekanizmin me të cilin ne dyshojmë që është kapur, kemi shembuj të qartë të kapjes së shtetit dhe këtë e kemi bërë në një qasje me dy këndvështrime. Së pari ne shohim cilat janë mekanizmat që kanë mundësuar pandëshkueshmërinë e elitave ndër vite dhe e dyta cili është mekanizmi i ri që u mundëson elitave ilegjitime, interesave të tyre jo të ligjshme, të avancohen dhe të mbrohen tashmë edhe me ligj.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Në të vërtetë këto janë legalizim i marrëdhënieve korruptive dhe klienteliste në qeveri. Mungon gara, mungon konkurrenca, mungon një transparencë me publikun përpara se këto ligje të miratohen dhe në fund shohim që një ligj shkon për një kompani të caktuar ku në të gjitha rastet kjo kompani ka qenë afër qeverisë.

Aleksandra Bogdani, gazetare

Procesi ligjbërës në Shqipëri kalon nëpër disa hallka që kontrollohen nga i njëjti pushtet faktik, partia që ka maxhorancën qeverisëse.

Ligjet mund të propozohen nga Këshilli i Ministrave, Parlamenti, një deputet, apo 20 mijë qytetarë me të drejtë vote. Këta të fundit pothuajse nuk e kanë ushtruar asnjëherë këtë të drejtë dhe ligjet në Shqipëri kalojnë gjithmonë sipas interesave të shumicës qeverisëse.

Të gjitha rastet janë ligje të cilat janë propozuar nga ekzekutivi. Shumica e ligjeve që miratohen në një legjislaturë të Kuvendit vijnë nga ekzekutivi. Nuk kemi pasur thuajse asnjë rast projektligje të propozuara nga 20 mijë zgjedhës dhe pjesa tjetër kanë qenë raste të ligjeve të propozuara nga deputet. Pra ligjet me porosi të faktuara si të tilla janë propozuar nga ekzekutivi.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Ne kemi parë përgjithësisht një sistem legjislativ që është në varësi të qeverisë. Është një zgjatim i qeverisë sidomos në katër vitet e fundit dhe me largimit të opozitës nuk ka më as debat. Shumicën e kohës vetëm janë noterizuar. Ne shikojmë deputet që nuk e dinë fare se çfarë votojnë.

Aleksandra Bogdani, gazetare

Për ta kristalizuar çështjen e korrupsionit legjislativ, po paraqesim disa të dhëna. Vetëm në katër vitet e fundit, janë miratuar 487 ligje nga ku 367 në dy vitet e fundit kur në sallën e Kuvendit kishte krijuar opozita e re parlamentare. Mes këtyre ligjeve të miratuara në katër vitet e fundit ngrihet shqetësimi se një pjesë e tyre, u hartuan jashtë zyrave të shtetit dhe u dërguan për miratim në Parlament.

Pjesa e ligjbërjes me porosi është shkalla më e lartë e korrupsionit dhe kapjes së shtetit i cili është një fenomen shumë serioz pasi dëmton në thelb shtetin ligjor, institucionet, besimin e publikut tek sistemi. Pra në një farë mënyrë ngre një sistem që nuk i shërben interes publik, por i shërben interesave ilegjitime të grupeve që mund të jenë interesa në fushën ekonomike, politike, dhe në rastin e Shqipërisë deri në fushën e interesave kriminale.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Parlamenti e ka humbur rëndësinë e vet si kontrollues i ekzekutivit. Si mbikëqyrës i punëve të ekzekutivit dhe në këtë rast është bashkëfajtor ose është bashkënismëtar i këtyre ligjeve me porosi që shkojnë në favor të një grupi të ngushtë njerëzish që në tërësinë e tyre ne e kemi parë e dëmton interesin publik. Mpleksin interesin privat me publik dhe në fund fare është publiku që paguan kostot.

Aleksandra Bogdani, gazetare

Ligjet e bëra me porosi lehtësojnë skemat e korrupsionit të nivelit të lartë, duke nxjerrë ligje për të mundësuar praktikisht vjedhjen e burimeve kombëtare përmes procedurave jo transparente të prokurimit dhe mungesës së integritetit të procesit ligjvënës dhe mbikëqyrjes parlamentare. Shumica e projektligjeve propozohen nga qeveria, por dokumentet e tyre mbështetëse nuk shtjellojnë arsyet për propozimin e tyre. Në Shqipëri për një kohë të gjatë është mohuar ekzistenca e kapjes së shtetit, pavarësisht thirrjeve të forta nga shoqëria civile dhe media të pavarura për të shqyrtuar dukuritë që shumë qytetarë i kanë perceptuar si shenja të qarta të fenomenit në vend.

Në publik, kontrata të tilla shiten si investime bombastike, si kontrata në dobi të publikut, por në të vërtetë kur i shikon këto kontrata, sigurisht i shërbejnë një personi të caktuar. Kemi një minim totalisht të ndarjes së pushteteve dhe rolit mbikëqyrës të kuvendit në këto raste. Pra kuvendi thjeshtë i ka marrë ato, i ka miratuar pa bërë debat, pa bërë proces transparence dhe pa diskutuar asnjëherë se çfarë përfiton publiku nga këto kontrata.

Aleksandra Bogdani, gazetare

Ne miratojmë rreth 260 ligje në vend që është një intesitet pune i çmendur, është e pamundur që 260 ligje të miratohen me cilësi. Është e pamundur që ky vend të ketë mundësi për të zbatuar 260 ligje në vit. Kështu që ne duhet të rishikojmë intesitetin e punës, duhet të rishikohet procedura me të cilinë hartohen ligjet. Si mund të rregullosh një proces kaq të rëndësishëm dhe të mos elaborosh 2 tre parime. Që ligjet bën këtë vend bëhet duke respektuar këto parime. i vetmi parim që zbatohet është parimi i kofidencialitetit, jo parimi i transparencës.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri është në vlerën e rreth 15 miliardë lekëve nga të cilat rreth 5 miliardë janë para që administrohen nga ekzekutivi. Pra rreth 1/3 e parave që qarkullojnë shqiptarët e menaxhojnë financat publike, ku pjesën e luanit të këtyre parave e marrin investimet. Pikërisht këto investime janë shkaku i ligjeve me porosi.

Errësira më e madhe në fakt ndodh në hartimin e projektligjeve në qeveri. Për shembull projektligji për aeroportin e Vlorës, nga fillimi, nga momenti i anonçimit, nga momenti i miratimit në parlament, është bërë për 10 ditë pune. Në datë 18 janar 2018 kryeministri e ka anonçuar në llogarinë e tij në Facebook, dhe në datën 1 shkurt parlamenti e ka miratuar në seancë parlamentare.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Pra brenda një harku kohor prej 10 ditë pune apo dy javë kalendarike, qeveria së bashku me Parlamentin ka kapërcyer të gjitha hallkat burokratike të shtetit shqiptar dhe e ka miratuar një PPP me vlerë rreth 87 milionë euro.

Pas anonçimit, kryeministri ka ngritur një grup pune, ai grup pune ka bërë një draft të parë. Ai draft i parë i është çuar ministrive të tjera për mendim. Grupi i punës i ka reflektuar, kanë finalizuar ligjin, për konsultim publik nuk e nxorën fare. Më pas e miratuan në qeveri. Është dërguar në Kuvend. Kuvendi e ka dërguar te komisionet relevante, komisionet e kanë miratuar dhe e kanë dërguar në seancë plenare. Të gjitha këto hapa, të cilat normalisht marrin muaj dhe në një demokraci të konsoliduar marrin edhe vite, në rastin e ligjit special të aeroportit të Vlorës janë bërë për 10 ditë pune, dhe është një çmenduri dhe është e pamundur të bëhen ashtu siç duhet dhe kjo sugjeron që ai ligj është gatuar diku tjetër, ka qenë i gatshëm dhe është dërguar thjeshtë për procedurë.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Ajo që ngre dyshime se ky draft është një nga shumë ligjet e porositura, është fakti se nisma nuk ka qenë e përshirë në programin analitik të Këshillit të Ministrave.

Ligjet nuk përfshihen në programin analitik pavarësisht se e dinin që do t’i miratonin. Programi analitik është miratuar me VKM diku nga fundi i janarit 2018, ndërkohë që ligji special për aeroportin e Vlorës ka qenë tashmë në tavolinë dhe kryeministri e ka anonçuar. Dhe kjo tregon që është shumë e lehtë që të ndërhyhet te procedura e ekzekutivit.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Sektori që zë volumin më të madh të investimeve është infrastruktura ku mesa duket ligjet speciale hartohen dhe miratohen më shpesh kur bëhet fjalë për koncesione.

Rasti më i freskët në fakt është ai i aeroportit të Tiranës. Infrastruktura është pjesa e madhe e luanit ku harxhohet shumica e fondeve shqiptare. Nëse rikthehemi 20 vite mbrapa historisë së aeroportit, në 2004, marrëveshja me kompaninë që e fitoi u bë me ligj special. Ajo marrëveshje është atakuar mbrapa. Çfarë ndodh? Mbas 20 vitesh, kur kjo qeveri e kishte atakuar ligjin special shumë herë si aferë korruptive, bën një ligj të caktuar dhe e zgjat kontratën për 13 vite të tjera.

Aleksandra Bogdani, gazetare

Por kush janë porositësit e këtyre ligjeve?

Pjesa e ligjbërjes me porosi është shkalla më e lartë e korrupsionit dhe kapjes së shtetit i cili është një fenomen shumë serioz pasi dëmton në theb shtetin ligjor, institucionet, besimin e publikut tek sistemi. Pra në një farë mënyrë ngre një sistem që nuk i shërben interesit publik, por i shërben interesave ilegjitime të grupeve që mund të jenë interesa në fushën ekonomike, politike, dhe në rastin e Shqipërisë deri në fushën e interesave kriminale.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Ligjet speciale janë ato që përdoren kryesisht nga ekzekutivi për të miratuar kontrata të posaçëm të partneritetit publik privat, kontrata të cilat kanë ndezur gjakrat si reagim qytetar. i tillë ishte edhe ligji special për teatrin që tashmë është shpallur antikushtetues duke vënë para përgjegjësisë jo vetëm hartuesit por edhe miratuesit.

Për të bërë këto ligje me porosi ne kemi identifikuar ose kemi provuar, kemi faktuar nëntë raste të tilla nga një mori prej 50 ligjesh të dyshuara. Me shumicën e këtyre rasteve ne vëmë re disa mekanizma standard që kanë përdori në varësi të tematikës. Ligjet që kanë shërbyer për të miratuar kontrata koncesionare ose PPP të ndryshme kanë ndjekur një qasje të caktuar. Ligje të cilat i kanë dhënë një frymëmarrje disa grupeve për të dominuar një sektor kanë ndjekur një mekanizëm tjetër. Pavarësisht se një ligj propozohet nga qeveria, interesat ilegjitime kanë mundur të lobojnë fuqishëm në parlament, sigurisht edhe me bekimin e maxhorancës.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Të dhënat e dala nga raportet ndërkombëtare cenojnë imazhin e Shqipërisë si një vend tërheqës për investitor të huaj, kjo jo për faj të atyre që shkruhen, por për shkak të atyre që gatuhen në qeveri dhe vulosen në Parlament.

Kemi dy çështje këtu. Mungesa e sigurimit të ligjit plus mungesa e konkurrencës. Të paktën nëntë vitet e fundit, nuk kemi një investitor serioz të huaj që është afruar në Shqipëri. Sigurisht që klima e biznesit është e dëmtuar në Shqipëri për shkak të mungesës së konkurrencës, pë rshkak të mungesës së rregullave të lojës dhe për shkak të pandëshkueshmërisë.

Aleksandra Bogdani, gazetare

Ne nuk dimë se kush e ka hartuar atë ligj, a kanë ndonjë konflikt interesi, kush është ekspertiza, këto janë çështje që janë në hije. Ne nuk kemi asnjë informacion se çfarë ndodh tek ekzekutivi. Imazhi i Shqipërisë është shumë i dëmtuar. Ne nuk kemi investime direkte të huaja nga kompani serioze. Mungesa e investimeve tregon se ne kemi një problem serioz, dhe kjo nuk vjen vetëm nga korrupsioni, nga pandëshkueshmëria, standardet me sigurinë, politikën fiskale me dhënien e drejtësisë.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Pavarësisht gjetjeve apo indicieve, sërish nuk ka hetime, të paktën zyrtarisht. Edhe pse tashmë kemi një vendim gjykate për një ligj special si ai i teatrit që tashmë është antikushtetues, sërish ata që miratojnë ligje nuk vihen para përgjegjësisë pasi ligjvënësi ka imunitet kushtetues. Konkretisht neni 73 parashikon se deputeti nuk mban përgjegjësi për votat dhëna gjatë ushtrimit të detyrës.

Ligjbërja me porosi tashmë i vë kapakun të gjithave. Këtu imazhi tashmë është dëmtuar apo me pikëpyetje e dëmton akoma më shumë dhe do të duhet një punë titanike nëse duhet ta marrim seriozisht këtë çështje.

Gjergji Vurmo, IDM Albania

Ka shumë debat publik, ka shumë akuza për korrupsion në nivelit më të larta dhe shpërdorim të fondeve publike dhe në fund askush nuk hetohet, askush nuk dëmtohet, të gjitha këto sigurisht dëmtojnë klimën e biznesit dhe mbajnë larg kompanitë e huaja.

Aleksandra Bogdani, gazetare

Kapja e shtetit në Shqipëri është rritur ndjeshëm midis viteve 2008 dhe 2021. Korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të nxitet nga privatizimi i pronës publike dhe shërbimeve. Kjo është mundësuar nga mekanizmat e pamjaftueshme institucionale të kontrollit dhe balancës së pushteteve, si dhe nga politizimi i administratës publike.

Përballja me kapjen e shtetit në Shqipëri do të vazhdojë të paraqesë një sfidë të rëndësishme për shkak të trashëgimisë së vazhdueshme të një ekzekutivi në nota autokratike, që përpiqet të kontrollojë dy pushtet e tjera – legjislativin dhe gjyqësorin. Mungesa e rezultateve konkrete të reformës në drejtësi dhe një proces politik i dominuar nga paqëndrueshmëria duket se kanë krijuar terrenin ideal për kapjen e shtetit. Por kjo sfidë mund të jetë më pak e dhimbshme nëse reformat e ndërmarra, si ajo në drejtësi bëhet 100% e efektshme.

Ky është një prodhim i A2 CNN
Gazetar: Ervin Koçi
Operator: Gjergj Dudushi, Erald Kuçuku, Eugert Hoxhaj
Montazh dhe Postproduksion: Eliona Baliaj
Postproduksion Audio: Mersin Imeraj
Arkiva: Dorina Ethemaj
Grafika: Grejsi Shehu
Promocioni: Bledi Linza
Kryeredaktor: Elert Yzeiri

Ky material u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve.