“Vaksinimi është çelësi për të mposhtur Covid-19”, vlerësimi i ekspertit shëndetësor

Çelësi për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit është promovimi i programeve të vaksinimit në shkallë të gjerë dhe të ndërtohet një bashkëpunim mes profesionistëve të shëndetit global.

Pohimi vjen nga një ekspert shëndetësor nga Universiteti Yale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sten Vermund, thotë se të dhënat e fundit treguan se varianti delta përhapet më shpejt se versionet e kaluara, ndaj nevojitet një nivel vaksinimi shumë i lartë për të arritur imunitetin e tufës.

“Është për të ardhur keq. Kjo është një pengesë globale për përpjekjet tona për të kontrolluar pandeminë. Mendoj se tri prioritetet kryesore janë vaksinat, vaksinat dhe vetëm vaksinat”, shprehet Sten Vermunf, dekan i Shkollës së Shëndetit Publik, Yale.

Eksperti pati vlerësim të veçantë për vaksinat kineze.

“Shpresoj që vaksinat kineze të ndihmojnë pasi janë të lira dhe mund të prodhohen në sasi të mëdha. Mbahen dhe transportohen lehtësisht, pa pasur nevojë për temperatura shumë të ulëta.”

Ndërkohë, këshilla e ekspertit është vënë në zbatim nga Izraeli. Ky shtet ka nisur me aplikimin e një doze të tretë përforcuese të vaksinave anti-covid. Kjo bëhet për të fuqizuar mbrojtjen ndaj koronavirusit, pasi varianti Delta ka ulur efektshmërinë e vaksinave.