Zgjidhet kryesia e re e PD-së, miratohen të gjitha propozimet e Bashës për postet drejtuese

Asnjë suprizë nga mbledhja me dyer të mbyllura të Këshillit Kombëtar të Demokratëve. Të gjithë emrat e propozuar nga kryedemokrati Lulzim Basha u votuan në unanimitet.

Në krye të Këshillit të PD do të jetë ish-nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka. 300 anëtarët e Këshillit Kombëtar zgjodhën kryesinë e re, ku i vetmi i rikonfirmuar në detyrë ishte Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.  

Lulzim Basha ka zgjedhur që të shtojnë numrin e nënkryetarëve në PD, nga 2 që ishin u bë 4, ku u miratuan këto emra: deputetja Jorida Tabaku, deputetja Grida Duma, depueteti Enkelejd Alibeaj dhe Alfred Rrushaj. Këtyre dy të fundit, Basha nuk i besoi vetëm këto poste. Drejtuesi politik i Qarkut Fier, Enkelejd Alibeaj, do të propozohet nga demokratët si zëvëndëskryetar i Kuvendit.

Grupi parlamentar i demokratëve do të udhëhiqet nga Alfred Rrushaj, ndërsa dy nënkryetarët do të jenë deputeti Ervin Salianji dhe Luciano Boçi. Vetëm pak ditë kanë mbetur nga nisja e sesionit të ri parlamentar e për demokratët beteja e parë do të jetë ajo e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, në ato kohë të firmosur nga Edi Rama e Sali Berisha. Ishte kryetari Basha ai që e deklaroi këtë, ku la që të nënkuptonte se për këto ndryshime do të ketë bisedime edhe me kundërshtarin e tij politik, Edi Ramën.

Reforma Terrritoriale dhe ajo Zgjedhore pritet që të jenë dy kauza të tjera që demokratët do të vijonë betejën parlamentare.