Emigrantët afganë, eksperti i sigurisë: Mes tyre mund të ketë agjentë të infiltruar

Mes emigrantëve afganë të mbërritur në Shqipëri për një qëndrim të përkohshëm, mund të ketë edhe persona që përbëjnë rrezik për vetë këtë komunitet, ose për sigurinë publike në vend. Sipas ekspertit të sigurisë, Ergys Muzhaqi, kalimi i tyre në një vend tranzitor para mbërritjes në SHBA, shpreh nevojën e një filtrimi të kujdesshëm, ndonëse ata kanë qenë bashkëpunëtorë të aleatëve në 20 vitet e fundit.

“Personat mund të jenë infiltruar si nga talebanët, si nga ISIS-K, që është aktiv dhe kundër të gjitha palëve në terren. Mund të jetë edhe shërbim sekret që kanë agjentët e tyre vendas lokale, që edhe pse kanë inatin me njëri-tjetrin, nëse hyjnë në tokën tonë është për t’u marrë në konsideratë rrisku që mund të na sjellin edhe nëse krijojnë incidente brenda komuniteteve të mysafirëve tanë”.

Po a e kanë strukturat shqiptare të zbatimit të ligjit kapacitetin dhe aftësinë e evidentimit të elementëve, që mund të rrezikojnë sigurinë publike? 

“Duhet të them që çështja e shërbimeve inteligjente është pak më tej koncepteve rutinë të sigurisë publike. Besoj që strukturat tona nuk duhet të kenë përgatitje specifike për kontingjentet afgane, se nuk i kemi persona të punës sonë rutinë të strukturave të sigurisë siç mund të jenë të tjerë me rrezikshmëri për sigurinë tonë ose rajonin. Këtu hyjnë në lojë struktura të tjera aleate si SHBA, apo struktura të tjera partnere që kanë pasur dhe mund të kenë aktivitetin në terrenin afgan që do të na mbështesin ne si vend mikpritës edhe pse provizorisht siç thuhet”.

Eksperti Muzhaqi nuk shikon vështirësi në mirëmenaxhimin e emigrantëve të deritanishëm, në kuadrin e sigurisë, por ka sugjerimin e tij nëse numri i tyre rritet ndjeshëm.

“Do të ishte mirë që të vendoseshin në vende të kontrollueshme, të grumbulluar pranë njëri-tjetrit me kontakte të kufizuara me pjesë urbane të qyteteve tona. Në këtë mënyrë i lehtësohet puna për monitorim këtyre peronave si hyjnë e dalin dhe palës sonë që të mos kenë problematika të tilla”.