I vështirë dhe i kushtueshëm, biznesi i vogël kërkon shtyrjen e fiskalizimit

Biznesi i vogël kërkon shtyrjen pa afat të procesit të fiskalizimit.

Në prag të nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, atë të lëshimit të faturës elektronike për transaksionet me para në dorë midis bizneseve dhe klientëve, pjesa më e madhe e sipërmarrjeve ende nuk kanë kaluar në sistemin e ri.

Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël e të Mesëm Albert Nasto shprehet se kostot e fiskalizimit janë të larta, teksa pasojat e pandemisë vazhdojnë të ndihen. Për këtë arsye, i kërkojnë qeverisë një shtyrje të afatit.

Krahas kostove, biznesi i druhet përfundimit të periudhës pa ndëshkime për gabimet apo vonesat me fiskalizimin.

Nëse apeli i bizneseve të vogla nuk do të pranohet nga qeveria, ato paralajmërojnë protesta dhe bojkot të aktivitetit deri në greva masive.