Ushtria amerikane publikoi të hënën një fotografi të ushtarit të fundit amerikan që largohej nga toka afgane, si simbol i përfundimit të luftës 20-vjeçare të Shteteve të Bashkuara në vendin aziatik.
Gjeneral Majori Chris Donahue, komandant i divizionit të 82-të të Forcave Ajrore, u pa teksa ngjitej në avionin e fundit amerikan, që u largua nga Afganistani një ditë para afatit përfundimtar të deklaruar më parë.
Me largimin e trupave të huaja nga aeroporti, talebanët morën plotësisht kontrollin e Afganistanit. Menjëherë nisën të publikohen edhe foto e video të militantëve të grupimit ekstremist, që tashmë ka kontrollin e vendit, duke bërë bilancin e atyre që amerikanët kishin lënë pas.
Në një video të publikuar në llogarinë e tij në Twitter, gazetari i “Los Angeles Times”, Nabih Bulos, shfaqi pamjet e talebanëve duke u futur në një hangar në aeroportin e Kabulit, për të kontrolluar helikopterët Chinook që amerikanët kishin lënë pas.