Në pritje të armikut, stërvitja e luftëtarëve në bastionin e fundit të rezistencës afgane

Ndërkohë që në Kabul Talebanët pozonin me mjetet ushtarake të lëna pas nga amerikanët, në veri të kryeqytetit, të strehuar brenda fortesës së tyre, luftëtarët e rezistencës vijonin stërvitjen.

Në fotot e publikuara nga AFP, shihen pjesëtarët e mbetur të forcave të sigurisë së Afganistanit, të vendosur në krahinën Panjshir. Kjo luginë, e shtrirë në malet Hindu Kush, është e vetmja zonë në Afganistan që nuk është nën kontrollin e Talebanëve.

Luftëtarët shihen teksa kryejnë stërvitje sipas programit të Forcave Speciale Britanike (SAS), duke mbajtur mbi supe trungje të mëdhenj teksa ecin nëpër pellgje me ujë, si dhe duke u stërvitur në qitje, në pritje të mbërritjes së armikut.

Deri tani, numri i luftëtarëve të rezistencës – të quajtur Aleanca e Veriut – mendohet se është disa qindra, të cilët janë të vendosur të mbrojnë 170 mijë banorët e luginës.