Riformatimi i PD, Analistët: Largimi i kritikëve është i gabuar, duhet ofertë e re politike

Në atë që u cilësua si një reformim i Partisë Demokratike mbetën jashtë organeve drejtuese kritikët më të mëdhenj të Lulzim Bashës, pavarësisht se ky i fundit, pasi u rikonfirmua në krye te PD, u bëri thirrje për bashkim.

Largimi i zërave kundër, sipas analistëve Lufti Dervishi dhe Ilir Kalemaj është një minus i madh për demokratët.

“Ajo që vihet re është që mungojnë zërat kritikë. Do ishte mire që ato zëra të mos anashkaloheshin për të dhënë një mesazh që Partia Demokratike është një Parti Demokratike e hapur”, shprehet analisti Dervishi.

Ndërsa Ilir Kalemaj shprehet: “PD duhet të guxonte mjaft më tepër dhe të ishte më e hapur pse jo edhe me zërat kritikë”.

Emrat e rinj të Kryesisë dhe sekretariatit nuk duket të kenë surprizuar. Por a janë strukturat drejtuese tregues i një ndryshim kursi të partisë më të madhe në opozitë?

“U pa që kishte më shumë konservatorizëm në ruajtjen e figurave ekzistuese dhe me gjendjen e pozicioneve dhe profileve të caktuara. Në vend që të kryhej procesi i hapjes së partisë për të prezantuar një ofertë të re politike”, shtoi Kalemaj.

“Cilësia e zgjedhjeve do shikohet kur të nisë, por mund të them që PD e ka konsumuar rrugën radikale. Duhet parë alternativa që paraqet”, shprehet Dervishi.

Një tjetër sfidë që pret PD me nisjen e sesionit të ri parlamentar, sipas analistëve, është mënyra se si do të menaxhojë prezencën e Sali Berishës në sallën e Kuvendit pasi amerikanët kanë kërkuar distancimin e tyre nga lideri historik .