“Skanimi” i afganëve, 607 refugjatëve u merren gjurmët e gishtërinjve

Në një kohë që Shqipëria pret strehimin e afganëve të tjerë, 607 të ardhurit në vendin tonë i janë nënshtruar procesit të regjistrimit. Pas mbërritjes së avionit të parë me 121 shtetas afganë mësohet se procesi i regjistrimit të gjeneraliteteve të tyre marrja e shenjave të gishtërinjve si dhe fotografimi u bë në aereoportin e Rinasit e më pas ata u transferuan në një hotel në zonën e Golemit në Durrës.

Procesi i regjistrimit i njohur ndryshe si screening nga drejtoria e sigurisë publike vijon në postën e policisë në qytetin studenti ku janë strehuar dhe pjesa më e madhe e afganëve të mbërritur në Shqipëri.

Burime pranë policisë thanë se të gjithë personat me kombësi afgane fillimisht janë regjistruar në Afganistan ndërsa verifikimi i listave të tyre bëhet në policinë shqiptare aty ku dhe regjistrohen.

Kryeministri Rama ka thënë se në vendin tonë mund të strehohen rreth 4 mijë afganë, ndërkohë që për pritjen e tyre është ngritur e gjithë infrastruktura e nevojshme.

Shqipëria iu bashkua menjëherë vendeve të gatshme për të strehuar qytetarët afganë që bashkëpunuan me forcat e NATO-s gjatë 20 viteve, qëkur amerikanët pushtuan Afganistanin. Me largimin e forcave ushtarake, mendohet se rreth 80 mijë qytetarë do të evakuohen nga Afganistani drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.