“Tërheqja amerikane, një katastrofë”, Afganistani hyn në një epokë të re

Afganistani përballet me një realitet të ri. Pasiguria dhe e ardhmja e panjohur janë shqetësimet kryesore.

Disa njerëz u larguan, ndërsa ka frikë të madhe se çfarë do tu ndodhë atyre që mbetën pas, teksa talebanët kanë marrë kontrollin e plotë të vendit.

“Shumë nga avionët e fundit që u nisën nga Afganistani u ulën pas meje këtu në bazën ajrore Al Udeid në Katar ku 55 mijë nga të evakuuarit kanë mbërritur gjithashtu. 39 mijë prej tyre kanë shkuar në shtete të tjera. E rëndësishmja, ata nuk ishin në gjendje të na tregonin se kishin viza. Dhe tani, sigurisht, nis shqyrtimi, marrja në pyetje e mbi 100 mijë personave që Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën të merrnin me vete”, shprehet Nick Paton Walsh, reporter në CNN.

Veterani, Elliott Ackerman, që ka shërbyer në Afganistan, përpara se të bëhej një autor i suksesshëm, thotë se tërheqja amerikane është një katastrofë. Ai qëndron aktualisht në Itali, nga ku ka ndihmuar në evakuimin e njerëzve nga shteti që ra në duar e talebanëve. Veterani paralajmëron një rikthim të amerikanëve.

“Dëshiroj të sjell në vëmendje vitin 2011, kur ushtari i fundit drejtoi automjetin luftues përgjatë kufirit nga Iraku për në Kuvajt dhe ne njoftuam që lufta mbaroi më në fund. Por ne lamë pas një vakuum pushteti në Irak. 3 vite më pas, trupat amerikane u rikthyen në Irak për të luftuar Shtetin Islamik. Mendoj se do të shohim të njëjtën dinamikë edhe në Afganistan. Për momentin trupat janë larguar dhe Amerika ka mbaruar punë me Afganistani. Fatkeqësisht, nuk besoj se Afganistani i ka mbyllur punët me Shtetet e Bashkuara” shtoi Elliot Ackerman, ish agjent i CIA.

Ndërsa reporteri Paton shtoi: “Talebanët flasin për dëshirën e tyre për marrëdhënie ndërkombëtare dhe është e qartë se Shtetet e Bashkuara do të kenë prezencë diplomatike për Kabulin këtu nga Doha. Gjithashtu, është e rëndësishme të rikujtohet skena e së hënës kur komandanti i fundit amerikan u largua nga Afganistani, duke lënë pas tij një projekt, prezencë dhe luftë që mori jetën e shumë afganëve dhe amerikanëve, ndau shumë familje të atyre që u thirrën për shërbim në atë luftë. Tërheqja finale la pas kaos dhe presion të madh për personat që nuk u larguan dot dhe pyetja kryesore që shtrohet është: Përse u bë e gjithë kjo?”