Kadilli akuza Bashës: Po mbyll partinë, demokratët të tradhtuar

Ish-kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadili, nuk duket aspak i surprizuar nga lënia e tij jashtë strukturave të reja drejtuese të PD-së. Sipas tij, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Basha dha 2 mesazhe të gabuara.

“Mesazhin e parë të gabuar kishte që në Kuvendin Kombëtar, rriti numrin e forumeve, në kryesinë e re 25 prej tyre ishin të emëruar nga kryetari”, tha Kadilli në Ditarin e A2 CNN.

Mesazh të gabuar, sipas tij, Lulzim Basha po jep edhe me heshtjen në lidhje me kërkesën e amerikanëve për të përjashtuar Sali Berishën nga PD-ja.

Mungesën e një përgjigje nga ana e Bashës, Kadilli e sheh si dobësi.

“Basha duhet të kishte folur vet, heshtja e tij tregon dobësi”.

Një ditë më parë ishte Bujar Nishani që akuzoi Bashen se po tradhton demokratët, duke njohur de facto rezultatin e 25 prillit.

“Dje Basha e harroi “Regjimin e Masakrës” dhe artikuloi “Pakicën e Korruptuar”. Dmth, demokratët dhe shqiptarët në tërësi nuk kanë më përballë një “regjim masakre”, por një pakicë të korruptuar, që Basha do ta rrëzojë lehtë! Shumica e demokratëve do të ndihen të tradhtuar nga ky devijim i shpejtë i Bashës nga sa u thoshte pak muaj më parë se “nuk do t’i njohë kurrë këto zgjedhje, se do të mobilizojë popullin për ta rrëzuar një orë e më parë këtë regjim”.

Me ndryshimet në organet drejtuese të PD-së, u mbajtën larg të gjithë kundërshtarët dhe kritikët e kryetarit Basha, si Kadilli, Shehaj, Nishani e Harxhi.