Lefter Koka heq dorë nga mandati i deputetit

176291042 4474474339233962 4452144644831108123 n 1100x620

Lefter Koka ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e parlamentit të ri, i cili mblidhet më 10 shtator. Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili garoi për PS në zgjedhjet e 25 prillit, bëri të ditur përmes një statusi në Facebook se ka dorëzuar mandatin.

“2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë. Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e pa diskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë. Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël”, shkruan Koka.

“Sot është dita që rrugëtimin tim politik ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me radhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falënderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!  Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë.

Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua! Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve”.

Koka është deputeti i pestë i zgjedhur më 25 prill, që heq dorë nga mandati. Fillimisht këtë e bëri Tom Doshi, pas presionit amerikan për të mos qenë në sallën e Kuvendit. Kryetari i Socialdemokratëve paraqiti dorëheqjen pak orë pasi ishin mbushur kutitë e 25 prillit.

Më pas ishte kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili njoftoi largimin nga politika dhe nga mandati i të zgjedhurit nën argumentin se kishte plotësuar ciklin e tij pas 30 viteve në foltoret politike.

Dy dorëheqjet e fundit ishin ato të Najada Çomos dhe Mark Markut. Shefja e infektivit i kishte paraqitur kryeministrit dorëheqjen nga mandati dhe publikisht, u tha se kishte zgjedhur spitalin në vend të parlamentit.

Presioni ndërkombëtar mund të bëjë që Mark Marku të mos jetë i vetmi demokrat që heq dorë nga mandati. Amerikanët e kanë të qartë se nuk duan ta shohin në sallën e Kuvendit liderin historik të demokratëve, Sali Berishën, pas shpalljes së tij “non grata” nga Uashingtoni.