“Messi”-as i Milanit: Duhet të besoni, ëndrrat bëhen realitet

messias milan 1100x620

“Milani është skuadra e zemrës sime dhe jam i lumtur që jam këtu”, këto janë fjalët e para si kuqezi të Junior Messias, i cili u bë pjesë e skuadrës së Piolit në fundin e merkatos së verës.

“Jam i përulur dhe punoj për grupin, kjo është forca ime”, vijoi më tej futbollisti, i cili vitin e kaluar debutoi në elitën e futbollit italian në radhët e Crotone-s.

Më tej, 30-vjeçari foli edhe për jetën e vështirë që ka kaluar derisa ëndrra e tij u realizua. “Kam luajtur në rrugë me shokët, por ndonjëherë këtë e kam bërë edhe vetëm. Nëse kishte hapësirë për të goditur topin, e bëja edhe vetëm. Prindërit më kanë mbështetur gjithmonë, pastaj familja ime, gruaja dhe fëmijët e mi. Ndryshimi erdhi me ata.

Kur mbërrita në Itali, gjithçka ishte ndryshe. Nuk isha larguar kurrë nga fshati im. Ishte një botë krejt tjetër, ku nisa të punoja menjëherë. Në një moment të caktuar nuk besoja më se mund të bëhesha futbollist dhe luaja vetëm për t’u argëtuar. Por puna që bëja më bëri që të shohë vlerat e jetës dhe të më shtyjë aq shumë. Kam arritur deri këtu pasi kam punuar shumë, kam vuajtur, kam sakrifikuar. Duhet sakrificë, duhet punë. Asnjëherë nuk kam menduar të arrija kaq lart, por kam punuar dhe ëndrrat bëhen realitet, duhet të besoni”.