Nuk pranojnë të bëjnë vaksinën, pezullohen punonjësit në spitalet publike të Greqisë

koronavirusi ne greqi 600x338

Kanë ardhur pezullimet e para në radhët e punonjësve të shëndetësisë në spitalet publike në Greqi, pasi nuk pranojnë të bëjnë vaksinën ndaj koronavirusit. Në shumë spitale, punonjësit e pavaksinuar kanë marrë fletën e pezullimit, ndërsa ditën e enjte, më 2 shtator, është njoftuar pezullimi i punës nga ora 10:00 deri në orën 15:00, si dhe protesta në orën 11:00. Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata Panhelenike e Punonjësve të Spitaleve Publike.

Sindikata, e cila u kërkoi mjekëve të marrin vaksinën, theksoi se nuk do të lejojë asnjë të pezullohet, pasi, sipas tyre, do të krijoheshin boshllëqe në shëndetin publik. “Ne nuk do të lejojmë çorganizimin e plotë të Sistemit Shëndetësor Kombëtar”.

Sipas planit të bërë publik, pas vendimit për vaksinim të detyrueshëm të punonjësve të shëndetësisë, të pavaksinuarit do të pezullohen dhe për zëvendësimin e tyre do të kryhen transferime nga spitale të tjera.

Qeveria greke thotë se masa është e nevojshme për të mbrojtur spitalet mes një shtimi të ndjeshëm të rasteve të reja gjatë javëve të fundit. Në anën tjetër, sindikata pretendon se kjo masë është e panevojshme, teksa vë në dukje se 95% e mjekëve dhe 90% e stafeve në spitalet më të mëdha të vendit janë të vaksinuar.