Pasiguri dhe frikë në Afganistan, mijëra njerëz në kufi, vendi rrezikohet nga kriza humanitare

Turma njerëzish që duan të largohen nga Afganistani u mblodhën në kufij, e radhë të gjata u krijuan para bankave të mërkurën, teksa vakumi administrativ pas ardhjes në pushtet të talebanëve, po projekton në horizont një krizë humanitare. Militantët Islamikë janë fokusuar t’i mbajnë të hapura bankat, spitalet dhe makineritë qeveritare pas tërheqjes përfundimtare të trupave, por pasiguria dhe frika sundojnë në rrugët e vendit.

Zaki Rahimi, ish-punonjës i Ministrisë së Kulturës dhe Informacionit: “Nuk kam ndërmend të vazhdoj punën si normalisht. Pasi talebanët morën pushtetin gjithçka ka ndryshuar; planet e po ashtu puna ime. Tani po përpiqem të largohem sa më parë nga Afganistani.

Nagieb Khaja, korrespondent i televizionit TV2 Danimarkë: “Gratë kanë shumë frikë, pasi disa prej tyre, kanë kujtime të qeverisë së mëparshme talebane. Ato mbajnë mend panoramën e plotë të jetës atëherë; shantazhet, trysninë dhe kërcënimet. Kemi parë se si rriheshin nëse nuk mbanin veshjet që sipas talebanëve ishin të detyrueshme”.

Me aeroportin e Kabulit jashtë funksionit, përpjekje private për të ndihmuar afganët e frikësuar nga raprezaljet e talebanëve, po fokusohen në krijimin e korridoreve të sigurta përmes kufijve të blinduar tokësore me Iranin, Pakistanin dhe shtetet e Azisë Qendrore. Mijëra njerëz vërshuan edhe në kufirin e Islam Qala, mes Afganistanit dhe Iranit. Në një rezolutë Këshilli i Sigurimit të OKB-së u kërkoi talebanëve të mundësojnë kalimin e sigurt të atyre që duan të largohen, ndërsa ministri i Jashtëm francez tha se talebanët po bisedojnë me Katarin dhe Turqinë për menaxhimin e aeroportit në kryeqytet.

Gjithashtu, Britania e Madhe është në kontakt me militantët për të mundësuar largimin e një sërë shtetasish britanikë dhe afganë që mbeten atje.