Legjenda e boksit zbulon se është përdhunuar nga një grua kur ishte 13 vjeç

Oscar De La Hoya ka zbuluar se ai u përdhunua kur ishte 13 vjeç nga një grua rreth 35 vjeçe. Boksieri i lindur në Los Anxhelos, tani në moshën 48-vjeçare, tha në një intervistë për “The Los Angeles Times” se ai ka luftuar gjatë për t’u përballur me traumat. Ai është rikthyer në qendër të vëmendjes pasi do të veshë sërish dorezat e boksit këtë muaj teksa do të ngjitet në ring ndaj luftëtarit brazilian të MMA Vitor Belfort.

“Në moshën 13-vjeçare isha në Havai në një turne boksi dhe aty u përdhunova nga një grua, e cila mund të ishte mbi 35 vjeçe”, tha boksieri. De La Hoya, i cili është baba i 6 fëmijëve dhe njihet si “Golden Boy” pas medaljes së artë në Olimpiadën e vitit 1992, tha se karriera e tij në boks ka shërbyer edhe si një shpërqendrim për situatën e rëndë të tij emocionale.

Veç karrierës së tij të ndritur në boks, të mbushur me tituj të shumtë, De La Hoya ka anën e tij të errët. Në vitin 1998, kur ishte 25 vjeç, ai u akuzua se kishte përdhunuar një 15-vjeçare në një hotel në Meksikë. Megjithatë, çështja u zgjidh jashtë gjykatës në vitin 2001. Nga viti 2007 e në vazhdim, De La Hoya ka pasur probleme të mëdha me alkoolin dhe kokainën dhe për këtë ka marrë trajtim.

De La Hoya u tërhoq nga boksi në vitin 2009, pas një ndeshje dramatike të fituar nga Manny Pacquiao, ndërsa tashmë do të ngjitet sërish në ring.