PS mbledh Asamblenë Kombëtare, do të zbulohen emrat e qeverisë “Rama 3”

Skuadra me të cilën kryeministri do të drejtojë mandatin e tretë pritet të prezantohet sot në Asamblenë e Përgjithshme të socialistëve, që do të mblidhet në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve. Kryeministri Edi Rama është treguar diskret për sa i përket emrave që do të jenë në kabinetin e ri, duke lavdëruar publikisht vetëm disa anëtare të kabinetit “Rama 2”.

Pjesë e Këshillit të Ministrave pritet të jenë 4 zonjat, Ogerta Manastirliu, Olta Xhaçka, Belinda Balluku dhe Elisa Spiropali.

Në takimin me deputetët socialistë javën e kaluar, Rama ka vlerësuar punën e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, për menaxhimin e suksesshëm të pandemisë, ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, të cilat me shumë mundësi pritet të rikonfirmohen në kabinetin e ri.

Nga ana tjetër, ai ka kritikuar punën e Ministrisë së Turizmit kundrejt menaxhimit të mbetjeve urbane përgjatë sezonit turistik, si dhe Ministrinë e Arsimit, që sipas Ramës, nuk kanë plotësuar pritshmëritë, duke vënë në pikëpyetje fatin e ministrave përkatës në qeveri.

Në Asamblenë e Përgjithshme, socialistët do të zgjedhin dhe kryesinë e re, teksa disa prej anëtarëve kanë njoftuar tërheqjen nga politika, e disa të tjerë kanë ftohur marrëdhëniet me kreun e partisë.

Rendi i ditës:

Mbështetur në Statutin e Partisë dhe në Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Neni 4, Sekretari i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Asamblesë Kombëtare me këtë rend dite:

I. Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës.

II. Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi RAMA.

III. Zgjedhja e Kryesisë së re, drejtuesve politikë të qarqeve dhe sekretariatit ekzekutiv të partisë.