“Qeveria e re, mungesë transparence dhe fuqizim i Ramës”, Gjoni: 7 nga 16 emrat do të ishin subjekt për SPAK

Mungesë totale transparence, forcim të pushtetit të Ramës dhe shkelje të demokracisë e shikon analistja Edlira Gjoni, përzgjedhjen e sotme të qeverisë Rama 3. Në një intervistë për Ditari në A2 CNN, Gjoni thotë shqetësim për të, është procesi i përzgjedhjes dhe jo emrat e përveçëm. Sipas saj, është shqetësuese shkrirja e Ministrisë së Rindërtimit dhe emërimi i atyre që dikur i ka shkarkuar live dhe po kështu i ka emëruar live.

“Doja të merresha me procesin dhe jo emrat e përveçëm, por me procesin që arritëm në këtë pikë për të disatën herë. As njerëzit që emërohen nuk e dinë se ku është arritur. Është shkelje e çdolloj demokracie që e predikon Rama se ne nuk e dimë si shkarkohen, emërohen dhe si ka arritur në emërimin e këtyre personave. Tre ministra janë shkarkuar live për mungesë performance. Puna e Rindërtimit për këtë qeveri ka mbaruar dhe nuk do kemi më Ministri për Rindërtimin që do të thotë se është shpërndarë mbajtja e përgjegjësisë siç e ka zakon Rama e PS.  Askush nga elita e PS, ata që ka shkarkuar i ke sot në qeveri. Mungesë totale transparence dhe forcim i pushtetit të Ramës për të thënë që e ka nën kontroll. Ka ulur pritshmëritë e atyre që janë fryrë në PS. Ka thënë një gjë të vërtetë Rama sot që kundërshtari i vërtetë i saj është vetë ajo. PS është armiku i vetvetes dhe kjo qeveri nuk zhbën klanet. Të gjithë diktatorët vetëm mandatin e tretë kanë të vështirë. Rama ka fituar imunitet, jo qeveria”.

Gjoni e konsideron qeverinë Rama 3, eksperimentin e radhës së kryeministrit, që nuk ka besim se do të përmbyllë mandatin e plotë qeverisës deri në 2025. Sipas saj, 7 nga 16 emrat e rinj në qeveri do të ishin subjekt interesant për SPAK-un.

“Eksperimenti i radhës i përkohshëm i Ramës, nuk mendoj që do të na çojë në fund të 2025-s. Janë të përfolur. Nuk më duket se ka transparencë, kam zero besim te kjo qeveri se kjo mënyra si erdhën ka zero transparencë më duket se janë kapur dhe i detyrohen Ramës përjetë. Besoj që 7 nga 16 emrat e rinj do të ishin element apo subjekte interesante për SPAK-un që të merrenin në studim për akuzat që janë hedhur nga PD-ja në parlament në 2019-n, 2017-n dhe 2014-n si të implikuar në korrupsion, nepotizëm dhe firmosje të dyshimta. Palët kanë akuzuar njëra-tjetrën dhe asnjëra të mos i mbajë e mbrojë këta emra. I dimë që janë larguar nga politika, por janë lobuesit më të mëdhenj te kryeministri. Të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën kanë në radhët e tyre, mbajnë fort negociuesit e pistë që janë larguar nga politika dhe janë pjesë me ndikim të madh”.

Shqetësim të madh, Gjoni sheh përzgjedhjen e Arben Ahmetajt si zv.kryeministër, i cili për një periudhë është sulmuar si Saimir Tahiri. Sipas saj, kjo tregon mungesë integriteti dhe transparence.

“Për mua numra janë të gjithë, por veçanërisht fyrjet më të mëdha publike sarkazmën dhe ironinë e kemi parë ndaj femrave ministre disa prej të cilave i ka thyer sot në majën e politikës, i ka bërë për të qarë live dhe sot i ka rikthyer. Shokimi im më i madh nuk janë emrat e përveçëm, por emërimi i Ahmetajt si zv.kryeministër, shkrirja e Ministrisë së Rindërtimit, që do të thotë se në qeverinë e re rindërtimi është zgjidhur dhe për shkak të punës së këtij ministri meriton të promovohet. Ahmetaj është vënë me shpatulla pas muri për eurobondin dy herë me shifra të jashtëzakonshëm që Shqipëria i ka si barrë në shpinë. Ka pasur një periudhë që ishte i sulmuar njësoj si Tahiri. Kjo është një kërcitje e madhe në mungesë integriteti e transparence. Më shqetëson procesi që ka çuar Rama te këto emra, çfarë arritjesh kanë, të lexojmë dhe ne rezultatet e çdo emri që do të na drejtojë sot”.

Mosfutjen e Ballës në qeveri, Gjoni nuk e shikon si ndëshkim ndaj tij, por si një lëvizje të kamufluar të Ramës dhe PS-ja për ta nxjerrë pak më lart. Po kështu edhe afrimin e zërave kundërshtarë në parti

“Nëse ka në Shqipëri një njohës të shkëlqyer të politikës është Edi Rama. Nuk ka politikanë si ai, të gjithë liderët e hekurt afrojnë zërat kundërshtarë. Është mënyrë e sofistikuar e Ramës për të bërë politikë. PS-ja është shumë e vjetër për të bërë gabime. Nëse do ta ulte Ballën do ta bënte me mënyra të tjera, jo kaq hapur. Unë mendoj se ka lëvizje të kamufluara për ta nxjerrë pak më lart. Nuk është e çuditshme që të kemi lëvizje të forta në këtë qeveri. Nuk e besoj që është ndëshkim”.