“Opozita të stërmblidhet dhe të hidhet, nuk ka ç’na bën”, Rama: Kundërshtari më i rrezikshëm i Partisë Socialiste jemi vetë ne

rama2 1100x620

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Asamblenë Kombëtare se kundërshtari më i rrezikshëm i Partisë Socialiste është vetë Partia Socialiste.

“Rreziku vjen nga mendimi se nuk na mund kush sa të kemi atë krijesë amorfe me dhëmballë të prishur që quhet Partia Demokratike. Rreziku vjen nga mendimi se ata të mblidhen, të rimblidhen, të stërmblidhen, të hidhen, PS-së nuk kanë çfarë i bëjnë. Por, PS-ja ka kundërshtar shumë më të rrezikshëm sesa ata: jemi ne. Ne mund ta bëjmë që PS-ja, nga një zgjedhje e qartë e shqiptarëve, të kthehet në zhgënjimin e tyre. Nëse PS-ja bëhet zhgënjimi i tyre, PS-ja do të jetë relikte, njësoj si simotrat e veta. Dhe sfida e sfidave e mandatit të tretë është ajo mes nesh dhe vetvetes, si individë dhe si familje politike”, tha Rama.

“Duke na dhënë mandatin e tretë, zgjedhësit tanë na kanë falur jo pak mërzira. Por, larg qoftë të na gënjejë mendja se ata i kanë harruar ata që na kanë falur. Ia kanë falur të gjithëve, por sipas nivelit, duke nisur që nga unë, ata rreth meje dhe ata pak më poshtë. Por, nuk i kanë harruar. Na kanë dhënë kredi dhe na kanë thënë që t’i shlyejmë me interesa. Prandaj dua t’ju lutem: mos luani me nervat e njerëzve”, shtoi kryeministri.