Rama në Asamblenë e PS: Detyra jonë të konfirmohemi sërish në qeverisje pas 4 vjetësh

2 SHTATOR EDI RAMA frame 10233 1100x620

Kryeministri Edi Rama deklaroi se detyra e socialistëve në këtë mandat qeverisës është rikonfirmimi pas katër vitesh sërish në qeverisje.

 “Nuk e luan topi që detyra jonë ndaj atyre që na besuan, të kemi nderin të udhëheqim është të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë të konfirmohemi përsëri pas 4 vjetësh”.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme Socialiste, Rama apeloi për të qëndruar me këmbë në tokë dhe për të kapërcyer vetveten për të sjellë drejtësi e mirëqenie, ndërsa pranoi se fitorja e këtij mandati është më e vështira, që e ka trazuar më shumë.

“Nuk kam qenë asnjëherë i trazuar pas një fitoreje sa këtë herë. Është momenti të ulim këmbët në tokë dhe të shtrijmë sytë larg në horizont. Është koha të gjejmë fuqi të reja për të parë veten individualisht, skuadrën tonë si kolektiv dhe fitoren me sy kritik. Na duhet një forcë e re, një pasion i ri politik, një kapërcim i vetvetes për të ngjitur më lart Shqipërinë. Të gjejmë vullnetin për të ngulmuar e korrigjuar gjithçka që kemi konstatuar e konstatojmë se nuk shkon. PS duhet të bëhet një parti që jeton me aspiratën për të sjellë drejtësi e mirëqënie dhe një ngrehinë me mijëra dyer organizatash ku shkohet për një punë në shtet ku dilet duke përplasur derën që nuk të dhanë një punë në shtet. 5500 dyert duhet të bëhen për të kultivuar qytetarinë, mendimin e aktivizmin politik, vullnetarizmin e solidaritetin social për të debatuar tema me interes publik dhe në të mirë të komunitetit përkatës dhe jo për të marrë e dhënë punëra shteti për vete e krushqinë. Jemi nisur shumë herë drejt këtij qëllimi, fushata, ture e kënde fjale, organizime  e riorganizime të rinisë, vendime, udhëzime, qarkore, për shumë qytetari e meritokraci dhe më pak letargji e burokraci në kohën jo zgjedhore. Përmirësimet kanë qenë të pamjaftueshme dhe rezultate jo në lartësinë e duhur, janë justifikuar”.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri një historik të shkurtër të opozitarizmit ardhjes në pushtet të PS, ku tha se u ngrit nga një forcë politike pa disiplinë dhe orientim për t’u rikthyer si alternativë qeverisëse.

“Një forcë politike pa disiplinë e orientim. U ngritëm me vështirësi për t’u rikthyer si alternativë e re qeverisëse. Nuk ia dolëm dot që në provën parë. Historia e atyre zgjedhjeve është e njohur, por ajo që duhet kujtuar dhe na ktheu pas 8 vjetësh dhe qindra peripecish në opozitë ishte këmbëngulja për t’ia dalë, forcuar e përmirësuar. Arritëm të ngremë një makineri elektorale të fuqishme të ndërtojmë një skuadër duke harmonizuar eksperiencën me energjitë e reja. Fituam mandatin e parë 8 vjet të shkuara, u konfirmuan në të dytin dhe si kurrë më parë u konfirmuan për të tretën herë radhazi. Kjo është fitorja më e vështirë që kemi arritur, thjesht fakti që jemi të parët që arrijmë flet vetë për veçorinë e kësaj fitoreje, por kjo është fitorja jonë më e vështirë për t’u merituar”.