Shqipëria me dy fytyra në Varshavë, Lewandowski heroi i Polonisë

Kombëtarja Shqiptare është mundur me rezultatin 4-1 në ndeshjen e radhës për eliminatoret e Botërorit 2022 përballë Polonisë vendase.

Djemtë kuqezinj zhvilluan një ndeshje me dy fytyra, ku në pjesën e parë luajtën shumë mirë, madje dhe dhuruan emocion, por që në 45 minutat e dyta ranë fizikisht.

Vendasit kaluan në avantazh me sulmuesin Robert Lewandowski, i cili pa kaluar 11 minuta lojë e çoi topin në rrjetë për të tijët.

Shqipëria tregon menjëherë shenja jete dhe tregohet e ashpër në disa ndërhyrje, duke marrë plot 3 kartona të verdhë brenda pak minutave.

Cikalleshi merr një asist perfekt nga Gjasula në minutën e 25 dhe pas një stopimi edhe më të bukur barazon rezultatin për kuqezinjtë.

Ndeshja bëhet interesante, por një përgjumje e mbrojtjes në minutën e fundit të pjesës së parë rezultoi fatale. Një top pa pretendime i kthyer nga Buksa preku shtyllën e Berishës dhe përfundoi në rrjetë.

Në pjesën e dytë shihet një rënie fizike e djemve të Rejës. Në minutën e 54 vjen dhe shpërthimi i sulmuesit të Bayern, i cili pasi kalon të gjithë mbrojtjen kuqezi pasoi tek Krychowiak, i cili e pati shumë të lehtë për të shënuar golin e tretë për ekipin e tij. Në të 89 vendasit shënuan dhe golin e katërt me Linetyn.

Tashmë pas 4 ndeshjesh të luajtura në Grupin I, Shqipëria renditet në vendin e katërt me 6 pikë dhe të dielën do të presë Hungarinë në “Elbasan Arena” për përballjen e radhës.