Stuhia Ida, Nju-Jorku shpall gjendjen e jashtëzakonshme për përmbytjet

Nju-Jorku ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, pasi u godit nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet, si pasojë e stuhisë tropikale Ida.

Kryebashkiaku Bill de Blasio tha se qyteti po përballej me një ngjarje historike të motit, me përmbytje brutale dhe kushte të rrezikshme në rrugë.

Pamjet në mediat sociale treguan ujin që derdhej në stacionet e metrosë, shtëpitë e njerëzve dhe rrugë.

Po kështu edhe New Jersey shpalli emergjencën dhe raportoi të paktën një vdekje nga përmbytjet.

“Një person u mbyt në Passaic, New Jersey, një tornado gjithashtu shkatërroi të paktën nëntë shtëpi në Mullica Hill, në të njëjtin shtet”, tha kryebashkiaku lokal,

Kulmi i një ndërtese postare u shemb në Kearny, New Jersey, me njerëz brenda në atë kohë, tha policia. Ekipet e shpëtimit janë në vendngjarje, por nuk është e qartë se sa të lënduar mund të ketë.

Policia e Nju-Jorkut u ka bërë thirrje njerëzve që të mos qëndrojnë rrugëve dhe departamenti i zjarrfikësve ka thënë se po i përgjigjet thirrjeve nga i gjithë qyteti.

Metroja e qytetit është mbyllur dhe shumë shërbime trenash dhe fluturime jashtë Nju-Jorkut dhe Nju Xhersit janë pezulluar.

Qindra mijëra shtëpi në Luiziana mbeten pa energji elektrike si pasojë e uraganit Ida.  

Shumë faktorë kontribuojnë në përmbytje, por një atmosferë ngrohjeje e shkaktuar nga ndryshimet klimatike i bën më të mundshme reshjet ekstreme.

Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2 gradë celsius që kur filloi epoka industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, nëse qeveritë në të gjithë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.