Berisha “non grata”, Zekthi: PD mund ta marrë në konsideratë një vendim për të mos e cilësuar pjesë të grupit parlamentar

Anëtari i ri i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fitim Zekthi ishte i ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2 CNN, ku foli dhe për çështjen e shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe nëse ai do të jetë pjesë e parlamentit të ri.

Zekthi u shpreh se PD nuk mund ta ndalojë futjen e Berishës në Kuvend, por sipas tij ajo mundet që ta konsiderojë një vendim për të mos ta cilësuar atë pjesë të grupit parlamentar.

“Zoti Berisha ka thënë vetë që do të jetë në parlament. Kjo nuk ka diskutim. PD nuk mund ta ndalojë futjen e Berishës në parlament pasi ai është një deputet i zgjedhur nga shqiptarët. Aman Partia Demokratike mund të marrë në konsideratë një vendim të saj për të mos e cilësuar atë pjesë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pra ky është diskutimi. Ky është gjykimi im. Mesa di unë PD e ka pasur një qëndrim në lidhje me këtë çështje.

Qëndrimi është ky. Zoti Berisha është trashëgimia historike e Partisë Demokratike. Është në një farë mënyrë ndërgjegjja jonë 30-vjeçare. Arritjet e PD janë nën shenjën e këtij njeriu. Ky njeri ka një vend të padiskutueshëm në Partinë Demokratike dhe shtetit shqiptar. PD respekton statutin dhe për përjashtimin e njerëzve. PD nuk mund ta përjashtojë nëse nuk shkelet një nga këto klauzola”, u shpreh Zekthi.