Hera e parë pas komunizmit, Polonia shpall gjendjen e emergjencës në kufi me Bjellorusinë

Qeveria polake ka shpallur gjendjen e emergjencës në dy rajone që kufizohen me Bjellorusinë, për shkak të gjendjes alarmante të hyrjeve të emigranteve ilegalë në kufirin midis dy vendeve.

Situata duket e rëndë, aq sa ka detyruar Varshavën zyrtare të marrë një vendim historik, i pari që nga fundi i regjimit komunist.

Gjendja e emergjencës parashikon kufizimin e grumbullimeve dhe të lëvizjes për të paktën 30 ditë, në një zonë prej tre kilometrash gjatë gjithë kufirit, ku po i drejtohen gjithmonë e më shumë forca ushtarake polake.  

Janë qindra emigrantët, kryesisht nga Lindja e Mesme, që kalojnë çdo ditë kufirin, të pakontrolluar dhe madje të shtyrë  nga autoritetet bjelloruse.  

Polonia, por edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian, akuzojnë Minskun dhe personalisht liderin Alexander Lukashenko se po përdor klandestinët si “armë” hakmarrëse ndaj sanksioneve të Brukselit pas zgjedhjeve të vitit të kaluar.     

Një situatë e përafërt po ndodh edhe në Lituani dhe Letoni, edhe ato vende kufizuese me Bjellorusinë, aq sa të gjithë këto vende kanë ngritur tashmë gardhet me telat me gjemba, në tentativë për të kufizuar fluksin.

Diçka jo e thjeshtë, nga momenti që organizatat kriminale që devijojnë flukset e mijëra të dëshpëruarve nga vende si Siria dhe Afganistani tashmë e kanë pikasur atë pjesë të kufirit të BE-së si më të thjeshtin për të kaluar.