Meta: Të ngrihet komision hetimor për largimin e 60 mijë fëmijëve nga Shqipëria

Presidenti Ilir Meta kërkon nga Kuvendi i ri ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e largimit masiv të fëmijëve nga Shqipëria. Duke iu referuar të dhënave të EUROSTAT, sipas të cilave, mbi 60 000 fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të BE-së gjatë 10 viteve të fundit, kreu i shtetit shpreh shqetësimin për destinacionin final të tyre.

Sipas tij, duhet të bëhet gjithçka për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre në atdhe.

Postimi i presidentit Meta:

Sipas të dhënave të bëra publike nga EUROSTAT, mbi 60.000 fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të BE-së gjatë 10 viteve të fundit (2011-2020).

Mbi 82 përqind e tyre janë nën moshën 14 vjeç.

Thellësisht i shqetësuar për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria, veçanërisht për faktin se destinacioni i tyre final është i paqartë, e mbështes kërkesën e CRCA/ECPAT dhe inkurajoj ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, me hapjen e Kuvendit të ri, për të hetuar gjendjen dhe vendndodhjen e tyre, analizuar arsyet dhe përgjegjësitë, si dhe rekomanduar masat efikase me qëllim ndërtimin e një strategjie konkrete shtetërore për ndalimin e këtij fenomeni të rrezikshëm.

Të bëjmë gjithçka për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, duke rikthyer besimin dhe garantuar mundësi dhe hapësira të reja, për t’u ndjerë plotësisht të realizuar, për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në Atdhe.