Raportime kontradiktore, talebanët festojnë rënien e Panjshirit, rezistenca mohon

Tre burime të ndryshme nga talebanët raportuan të premten se militantët islamikë kanë marrë tashmë kontrollin e Luginës së Panjshir, e cila konsiderohej si bastioni i fundit i rezistencës ndaj tyre.

Lajmi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, ndërkohë lideri i lëvizjes anti-talebane mohon që një gjë e tillë të ketë ndodhur.

“Falë Allahut tashmë kemi kontrollin në të gjithë Afganistanin. Ata që shkaktonin probleme janë mundur dhe Panjshir është nën komandën tonë”, deklaron një komandant i talebanëve.

Të dhënat janë kontradiktore, por në Kabul kanë shpërthyer festimet nga talebanët dhe rrjetet sociale janë mbushur me postime për rënien e Panjshir.

Pak më herët, një gazetar i huaj postoi një video në Twitter ku shfaqet zv/presidenti Amrullah Saleh, një nga liderët e forcave anti-talebane që shprehet që ndodhet ende në luginë.

“Nuk ka dyshime që jemi në një situatë të vështirë. Jemi nën pushtimin talebanë, por ne e mbajtëm zonën, rezistuam. Rezistenca do të vazhdojë”, shprehet ai.