Reforma e fiskalizimit, mbi 25,000 biznese të regjistruara

Faza e tretë e njëkohësisht ajo finale e fiskalizimit po shfaq një ecuri pozitive si në numrin e bizneseve që po aplikojnë ashtu edhe në numrin e faturave të lëshuara.

Që nga 1 janari e deri më tani, numri i bizneseve të fiskalizuara ka arritur në 25,700, ky pjesa kryesore përbëhet nga sipërmarrjet e mëdha.

Pozitive paraqitet edhe situata me faturat e fiskalizuara. Sipas të dhënave të Tatimeve, deri më tani janë lëshuar më shumë se 24 milionë të tilla, ku pjesën më të madhe e përbën biznesi i madh.

Rezana Çelmeta, drejtuese në Drejtorinë e Procesit të Biznesit, tregon edhe mënyrën se si po garantohet ky proces.

 “Prej 1 shtatorit, në zbatim të masave, tatimpaguesit do të vizitohen për t’u mbështetur në plotësimin e portalit Self Care si dhe për aplikimin e certifikatave elektronike”, sqaron ajo.  

Lidhur me shqetësimet e bizneseve për portalin SelfCare, Çelmeta tregon se tashmë problematikat janë zgjidhur.

Rezana Çelmeta, drejtuese në Drejtorinë e Procesit të Biznesit

“Sistemi është në funksion të plotë, padyshim ka nevoje për përmirësime të problematikave që shfaqen gjatë procesit të lëshimit të faturave”, thotë ajo.  

Pavarsisht se afati ishte 1 shtatori, bizneseve nuk do u aplikohen penalitete deri në fundin e vitit. Drejtori e Përgjithshme e Tatimeve parashikon që deri në fundin e vitit reforma e fiskalizimit e nisur më 1 janar, të përmbyllet plotësisht.