SHBA do të dërgojë mbi 500 mijë vaksina Pfizer në Kosovë

pfizer 3 1100x620

Kosova mbylli një tjetër 24-orësh të zi ku u raportua se 26 persona humbën jetën nga koronavirusi, ndërsa mbi 1400 të tjerë u infektuan. Ndërkohë, një dritë shprese vjen nga Shtetet e Bashkuara, të cilat do të dërgojnë në Kosovë më shumë se 500 mijë vaksina Pfizer.

Lajmi është bërë i ditur nga Radion Evropa e Lirë, sipas të cilës në Kosovë do të mbërrijnë 503100 doza Pfizer duke nisur nga kjo e premte, 3 shtator. “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuar që të sjellin të njëjtën urgjencë në përpjekjet ndërkombëtare për vaksinim siç ne e kemi demonstruar në SHBA dhe ne po punojmë që të sjellim sa më shpejt që të jetë e mundur në Kosovë vaksina të sigurta dhe efektive”, tha Shtëpia e Bardhë.

Më 20 gusht, në Kosovë arritën 35,000 doza të Pfizerit, donacion nga SHBA-ja. “Ky është një moment unik në histori dhe kërkon lidership amerikan. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të krijuar një botë më të sigur kundër kërcënimit ndaj kësaj sëmundjeje ngjitëse”, tha Shtëpia e Bardhë.

Gjatë kësaj jave, autoritetet shtetërore në Kosovë njoftuan se kanë hequr nga përdorimi mbi 133.000 doza të vaksinës së AstraZenecas, pasi u kishte kaluar afati.