Spostimi i Taulant Ballës, analistët: Mesazh se në PS nuk ka tjetër veç kryetarit

Menjëherë pasi kryeministri Rama komunikoi vendimin për të larguar Taulant Ballën nga posti i sekretarit të përgjithshëm i PS, ky i fundit ishte ndër të parët që la sallën e Pallatit të Kongreseve.

Në krah kishte ish-kryeparlamentarin Gramoz Ruci, tashmë i tërhequr nga politika, dhe mëriza se nuk mundi të kishte trashëgiminë e tij politike i dukej qartë.

Analistët Ilir Kalemaj dhe Aristir Lumezi, vendimin e Ramës për të zhveshur nga çdo pushtet, veç atij të kryetarit të grupit parlamentar, një nga njerëzit e tij më të besuar, e lexojnë si një mesazh se në Partinë Socialiste nuk ekziston asnjë numër 2.

“Zoti Rama e ka këtë të mirë që të fryn me pushtete e pastaj të ul me këmbë në tokë për të të treguar se nuk je mbi të tjerët”, shprehet Aristir Lumezi.

“Do ishtë jashtëzakonisht me pozita të forcuara pas ikjes së Gramoz Ruçit. Do ishte një person jashtëzakonisht influent numri 2 i partisë duke dashur të jepte një mesazh që nuk ka baronë lokalë, nuk ka një person që të ketë një hije kaq të rëndë në PS”, shton Kalemaj për A2 CNN.

Kalemaj nuk e fsheh habinë në lidhje më këtë vendim të Ramës ndërsa Lumezi nuk duket aspak i surprizuar nga vendimi i kryesocialistit.

Sikur të mos mjaftonte largimi nga posti i numrit dy të partisë, Taulant Balla u spostua edhe si drejtues politik i qarkut të Elbasanit, ku kishte rrënjët pushteti i tij jo vetëm politik. Nuk duket rastësi që në të dyja këto pozicione Rama ka preferuar ta zëvendësojë me Damian Gjiknurin.