U-19, Shqipëria barazon në sfidën e parë ndaj Izraelit

E6B8AE9E BB53 4EF7 A41C FA1A5828D1CF 1100x620

Kombëtarja shqiptare e 19 vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Armando Cungu ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjen e parë miqësore të planifikuar ndaj përfaqësueses së Izraelit. Sfida që nisi në ora 16:30 dhe që u zhvillua në stadiumin “Selman Stërmasi” përfundoi në barazimin 1-1.

Kuqezinjtë e Cungut zhvilluan një ndeshje me raste të krijuara, por për fat të keq arritën të finalizonin në portën kundërshtare vetëm një herë. Ishin izraelitët ata të cilët kaluan në avantazh të parët, duke ndëshkuar tanët në minutën e 26-të të takimit.

Barazimi do të vinte vetëm në minutën e 88-të të takimit, me Cristian Shpendin, sulmuesin shqiptar i cili aktivizohet në radhët e Cesenës.

Ndeshja mbyllet me rezultatin 1-1, një sfidë ku Armando Cungu pati mundësinë të shikonte nga afër edhe elementët e rinj të cilët aktivizohen në kampionatet jashtë vendit, për të krijuar një ide më të qartë mbi lojtarët që do të përbëjnë grupin përfundimtar që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian, ku Kombëtarja jonë është shortuar në grupin 7 së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.