Video e tentativës së arratisë nga burgu 313, kamerat e sigurisë kapën Çekajn e Pjetrin duke u kacavjerrë në litar

A2 CNN ka siguruar pamjet e momentit të tentativës së arratisjes nga burgu 313 i Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit në 8 gusht të këtij viti. Në videon e kamerave të sigurisë shfaqen sekondat kur Fatmir Pjetri zbret nga tarraca e burgut 313, që përdoret si ambient ajrimi në një sheshpushim shkallësh.

Ai zbret përmes litarit disa metra të gjatë të ndërtuar përmes thurjes së disa çarçafëve. I dënuari si pjesë e “bandës së babagjyshave” drejtohet nga disa shkallë, duke mbajtur në dorë një ganxhë metalike, ndërsa në pamje shquhen edhe punonjësit e policisë, që e neutralizuan më vonë.

Pak sekonda pas tij, nga i njëjti litar zbriti edhe Arbër Çekaj, i dënuari me 14 vite burg për trafikimin e 613 kg kokainë kolumbiane në Shqipëri. Pas dështimit të arratisë së Çekajt e Pjetrit Prokuroria e Tiranës po heton gjithë rrethanat e saj, si edhe mundësinë e bashkëpunëtorëve të tyre nga jashtë burgut.

Hetuesit po analizojnë gjithë pamjet filmike mbi dinamikën e përpjekjes së arratisë, si edhe pamjet jashtë burgut për të vënë re nëse ka pasur persona në pritje të tyre. Njëkohësisht në filtrat e hetimit do të kalojë edhe veprimet e kryera nga gardianët e turnit, lëvizjen e tyre dhe zbatimin e protokolleve të sigurisë prej tyre.