Berisha: Kombëtarja ka bërë hapa të rëndësishëm nga një vit më parë. Të motivuar për Hungarinë

rit berisha 600x338

Para ndeshjes me Hungarinë, kapiteni i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, theksoi se ndeshja e nesërme është e rëndësishme për të dyja ekipet, ndërsa tha se Shqipëria ka filluar të ketë rritje si skuadër, duke treguar personalitet në çdo ndeshje. Kapiteni u shpreh se djemtë janë të motivuar, teksa i lumtur për rikthimin e tifozëve në stadiume, shpreson që numri i tyre të jetë sa më i madh.

Humbja ndaj Polonisë – Jemi të gjithë të vetëdijshëm për lojën që kemi bërë ndaj Polonisë. Kemi bërë shumë gjëra të mira, por duhet edhe t’i eliminojmë disa gjëra, ku teksa morëm golat, nuk kemi qenë shumë të vetëdijshëm për ato momente, edhe pse jemi munduar që t’i përgatisim përpara lojës. Këto gjëra të mira duhet t’i marrim me vete dhe duhet të mësojmë prej këtyre gjërave, sidomos nga golat. Mendoj se me atë ndeshje që zhvilluam, duhet të merrnim shumë më shumë se kaq që bëmë. Duke parë rezultatin që është shumë negativ, ne do të mundohemi që në ndeshjen e ardhshme, të japim edhe më shumë. Të eliminojmë gabimet dhe të rikthehemi te fitorja.

Ndeshje vendimtare ndaj Hungarisë – Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja palët. Edhe ndeshja ndaj Polonisë ishte shumë e rëndësishme, por prapë se prapë mendoj se ne kemi rast me Hungarinë, pasi nëse fitojmë mund të vazhdojmë ëndrrën tonë. Kjo ndeshje është vendimtare për të gjitha skuadrat, për ne, Hungarinë dhe Poloninë.

Atmosfera brenda skuadrës – Të gjithë çunat ishin të vetëdijshëm pas ndeshjes për atë që kemi bërë, si për gjërat e mira dhe për ato jo të mira. Mendoj se kjo ndeshje do të thotë shumë për ne. jemi të gjithë të motivuar për ata bërë një ndeshje të mirë dhe për t’iu rikthyer fitores sepse ajo të jep vetëbesim për ndeshjet e ardhshme.

Kundërshtari hungarez? – Unë mendoj që Kombëtarja jonë ka bërë një hap të rëndësishëm që nga viti i kaluar deri tani. Ndeshjet e Kombëtares janë më të mira, kemi personalitet në lojë, bëjmë shumë gjëra të mira dhe ato që duhen eliminuar janë gabimet që janë të evitueshme. Hungaria është një ekip i fortë, që ka bërë mirë edhe në Europian por nesër do jetë një ndeshje e veçantë për të dyja ekipet dhe pa marrë parasysh se çfarë ke bërë në të kaluarën, gjithmonë duhet të bindesh edhe për të ardhmen. Kështu që për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme, kështu që shumë respekt për Hungarinë, por do futemi për fitore.

Thirrje për tifozët – Tifozët për ne gjithmonë kanë qenë një mundësi edhe më e madhe që të na karikojnë dhe të bëjmë paraqitje edhe më të mira. U bë kohë e gjatë që nuk i kemi parë dhe është një mundësi shumë e mirë si për ne edhe për ata, që të vijnë të na përkrahin. Shpresoj që nesër të jenë në numër sa më të madh të mundshëm dhe shpresoj që edhe ne t’i dhurojmë një fitore që do të ishte shumë e rëndësishme, për ne dhe për ta.