Pas 2 dekadash: Brenda muzeut të CIA-s, dedikuar 11 shtatorit

Kanë kaluar tashmë 2 dekada dhe shumë sende, të mbetura pas nga 11 shtatori i vitit 2001, kanë mbetur të pandryshuara, njësoj si ditën kur u gjetën nën rrënoja. Të vendosura sot pas një xhami, në një muze, ato kanë vetëm një premtim, atë për të mos harruar.

 “Ajo çantë palestre i përket pasagjerit më të ri të fluturimit 93. Atë ditë, studentja po kthehej në kolegj”, tha Robert Byer, drejtor i Muzeut Të CIA-s.

Artefaktet e 11 shtatorit, ditës kur gati 3 mijë vetë humbën jetën, janë të shpërndara kudo në muze, për ta bërë të shkuarën, edhe më prezente në prag të 20-vjetorit. Janë sende ikonike, të gjitha personale, të viktimave të 11 shtatorit dhe do të hapen vetëm për familjarët dhe një publik të ngushtë.

“Duke përdorur artefaktet këtu në muzeun e CIA-s, ne mund të tregojmë historinë e asaj çka kemi arritur, çka kemi bërë me historinë dhe cili është sot misioni ynë. Kjo na ndihmon të kuptojmë edhe çfarë mund të bëjmë për të ardhmen”.

Por duke qenë një muze Brenda zyrave qendrore të CIA-s, ai nuk mund të jetë i hapur për publikun. Gjithçka është krijuar brenda zyrave të agjencisë, në Virginia. Brenda gjen sende e artefakte, njësoj sikur po sheh një prodhim të Hollivudit. Vetë drejtori i muzeut flet për përjetimin e tij.

“Kjo nuk është thjesht një ide për të ruajtur historinë. Duam që oficerët tanë t’i shohin këto sende dhe ndoshta të mendojnë një ide të re, për misionin që ne kemi sot”.

Edhe pse e rrethuar nga artefakte njerëzore e të dhimbshme, në mes të muzeut qëndron edhe pjesa më e gjallë e godinës. Vetëm 2 javë pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, CIA dërgoi ekipin e saj të parë në Afganistan, në kërkim të trurit të sulmeve terroriste, Osama Bin Laden. Misioni u përmbush thuajse 10 vjet më vonë, në 2010, kur ata ekzekutuan kreun e Al Kaedës, të fshehur në Abbotabad, në veri të Pakistanit.

Agjencia Kombëtare e Inteligjencës i ka dedikuar një hapësirë në muze të gjitha misioneve që u ndërmorën thuajse në 1 dekadë pas sulmeve, për të rënë në gjurmët e Bin Laden, gjatë administratës Bush dhe Obama.

“Vendi ku ishte fshehur Bin Laden kishte një tarracë, por edhe një mur të lartë përpara, në mënyrë që askush të mos shihte përtej. Fakti që presidenti ishte aty për të parë misionin, e ndihmoi të kuptonte më shumë për operacionin, më shumë sesa një foto mund të tregojë”.

Madje pjesë të muzeut janë edhe 13 tulla të murit që rrethonte kompleksin ku fshihej Bin Laden dhe u shemb gjatë murit. Bashkë me to është ekspozuar në muze edhe arma e Bin Laden, para se të ekzekutohej.

“Këto artefakte në zyrat tona tregojnë edhe një herë luftën dhe operacionet tona në kërkim të Osama Bin Laden, gjetjen e tij dhe vënien në vend të drejtësisë”.

Gjithçka në këtë muze është e veçantë, çdo send ka një histori nga pas që lidhet me sulmet e 11 shtatorit. Kjo vlen edhe për helikopter që dërgoi në Afganistan ekipin e parë të CIA-s. Dhe ky muze do të mbetet kështu, një kujtim i gjallë i orëve të panikut e frikës gjatë sulmeve terroriste të 11 shtatorit, reagimeve dhe lotëve, të familjarëve të viktimave, oficerëve që ranë në detyrë dhe mbarë botës.