Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Reja flet para Hungarisë, nga Bajrami, Broja, te formacioni i mundshëm

Nga A2 CNN
4 Shtator 2021, 16:09 | Futboll
Reja flet para Hungarisë, nga Bajrami, Broja, te formacioni i mundshëm

Në prag të sfidës së radhës që Shqipëria do të luajë ditën e diel (5 shtator 2021) ndaj Hungarisë, e pesta ndeshje e kuqezinjve, ditën e sotme kanë dalë në një konferencë zyrtare për mediat trajneri i Kombëtares Edoardo Reja dhe kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha. Kjo sfidë që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan dhe do të nisë në ora 18:00 do të rikthejë tifozët në stadiume, me një kapacitet të limituar prej 30%.

Trajneri Reja, teksa iu përgjigj interesit të medias shqiptare, por edhe hungareze u shpreh se kundërshtari është një ekip shumë i fortë dhe cilësor, por lojtarët e Kombëtares kanë shumë cilësi dhe duhet të fokusohen për të marrë 3 pikët. Sipas Rejas, kjo ndeshje mund të cilësohet si vendimtare për të dyja skuadrat, për të qëndruar në lojë për vendin e dytë. Gjithashtu, ai komentoi edhe ndeshjen që Shqipëria zhvilloi tre ditë më parë ndaj Polonisë, si dhe foli për mungesat, futbollistët që mund të aktivizojë ditën e nesërme si dhe modulin e lojës që mund të përdorë. Në fund, tekniku kuqezi u shpreh i lumtur për rikthimin e tifozëve në stadium, të cilët i sheh si një burim frymëzimi për skuadrën.

Ndeshja ndaj Polonisë dhe Hungaria nesër– Kemi një ndeshje për të rikuperuar ndaj Hungarisë, pas atij rezultati, mendoj të padrejtë që patëm në Poloni. Pres një ndeshje të mirë nga skuadra ndaj Hungarisë, duhet të bëjmë një paraqitje ashtu siç bëmë në Poloni, pasi nëse i hedhim një sy rezultatit, 4-1 duket sikur na kanë masakruar, por në fakt nuk ishte ashtu. Skuadra bëri një paraqitje të mirë, pati ato momentet e veta që humbi përqëndrimin, pati ato momentet e veta ku humbi përqëndrimin, por në vija të përgjithshme bëri një lojë të mirë. Dua sërish të shikoj po atë frymë ekipi, shpresoj që ta rigjejmë dhe të bëjmë një ndeshje të mirë. Sa i përket Polonisë, sigurisht pas golit të tretë, gjërat u kompromentuan, por një humbje me Poloninë qëndron. Gjithsesi ne jemi ende në këmbë, kemi një ndeshje ndaj Hungarisë që duhet fituar. Kemi shanset për të arritur objektivat akoma, jemi në lojë. Çdo ndeshje është vendimtare sipas meje në këtë pikë. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, Hungaria ka një skuadër shumë të fortë, shumë të përgatitur dhe cilësore, por ne duhet të fokusohemi 90 minuta dhe të jemi të ndërgjegjshëm për aftësitë që kemi dhe të marrim 3 pikë.

Vendosja e skuadrës në fushë – Sigurisht që mund të kemi të njëjtin sistem loje por nuk është e thënë, sepse çdo trajner ka filozofitë e veta, të ndryshme. Nuk është e thënë se jemi të dy italianë dhe të kemi të nëjtën filozofi. Secili trajner ka mënyrën e vet për vendosjen e skuadrës në fushë dhe skemën e përdorur. Mendoj që trajneri hungarez ka një ekip kompetitiv në dispozicion. Është një grup shumë i fortë si në aspektin fizik, edhe në mbrojtje. Gjithsesi unë mendoj që ne kemi në dispozicion lojtarë shumë të shpejtë dhe mund t’i vendosin në vështirësi hungarezët. Kemi tre mungesa të rëndësishme për shkak të skualifikimit dhe ndoshta mund të më duhet të ndryshoj dhe vendosjen e ekipit në fushë ndaj Hungarisë por gjithsesi kemi edhe një stërvitje të fundit për të bërë dhe do të shoh sërish para se të vendos se si do të luajmë.

Paraqitja e skuadrës ndaj Polonisë – Nëse na duhet të bëjmë një analizë për ndeshjen ndaj Polonisë, po të shohim statistikat, Polonia ka gjuajtur 5 herë në portë dhe ka shënuar 4 gola ndërsa ne kemi goditur portën rreth 16 herë. Sigurisht, unë mendoj se të paktën goli i parë dhe goli i dytë erdhën njëri nga goditje këndi dhe tjetri nga goditje dënimi. Dhe mendoj se ishin rrjedhojë e gabimeve individuale dhe jo e gjithë skuadrës. Kur sheh që ke pësuar 4 gola, mendon se ka shkuar gjithçka keq por unë nuk mendoj kështu. Në total ekipi bëri një paraqitje të mirë, por u penalizua vetëm nga gabimet individuale të disa lojtarëve. Mbrojtja ka luajtur si herët e tjera, por na mungoi përqëndrimi në disa momente për të dalë në lojën tonë, nuk dolëm në skemën tonë. Po të shohim golat se si erdhën, nuk është se erdhën për shkak të gabimeve taktike të vendosjes në fushë, por thjesht për shkak të gabimeve që bënë individë të ndryshëm në fushë.

Mungesat ndaj Hungarisë, lojtarët e rinj dhe moduli i lojës – Sa i përket Brojës nuk mund të them që është lojtar shumë i ri sepse ai tashmë numëron 6 ndeshje dhe 6 paraqitje me Kombëtaren. Ka pasur mundësi të tregojë vlerat e tij dhe unë e kam parë në disa ndeshje dhe sidomos në Nations League në vitin e kaluar dhe mund të them që kam pasur mundësi që ta shoh në fushë dhe ta analizoj. Për momentin nuk më ka dhënë përgjigjet që unë pres, por është lojtar i madh, lojtar i ri dhe i përspektivës, shumë cilësor, nuk diskutohet. Do të jetë në stol për ndeshjen ndaj Hungarisë, por nëse do të ketë nevojë për të gjatë ndeshje, sigurisht që do të mbështetem tek ai. Ndërsa për modulin, mendoj se do të jetë i njëjti, por të shoh edhe si do të shkojnë gjërat me Bajramin, i cili sapo ka ardhur në skuadër dhe që po kalon një formë shumë të mirë. Gjithsesi, duhet të bëj edhe unë analizat e mia, për aspektin taktik dhe të shohim nëse mund ta përfshijmë në ndeshje. Është lojtar me shumë vlera, por kam edhe shumë lojtarë po aq të mirë, pavarësisht mungesave në dispozicion. Gjithsesi, deri nesër në mëngjes do të më duhet të bëj një farë analize me të gjithë lojtarët dhe pastaj do të shikojmë modulin.

Hungaria, ndeshje vendimtare për të qëndruar në lojë për kualifikimin? – Për të dyja ekipet, sigurisht që është një ndeshje vendimtare për të synuar deri në fund vendin e dytë në renditje. Sigurisht, Anglia është favorite për vendin e parë të grupit dhe për t’u kualifikuar. Çdo ndeshje është vendimtare dhe kjo sfidë është direkte që për ne nënkupton se duhet fituar me çdo kusht. Kemi nevojë të marrim pikë dhe kemi objektiv që të paktën çdo ndeshje që luajmë në Shqipëri të marrim një fitore që do të jetë jetike për ne që të vazhdojmë të ëndërrojmë për të pasur shans për t’u kualifikuar në Botëror.

Uzuni, “ndihmë” për skuadrën që luan në Hungari – Ne kemi një staf që merret me analizat e statistikave. Hungarinë e pamë edhe në Europian, dhe e kemi analizuar dhe e njohim shumë mirë. Mund të flas me Uzunin për Ferencvarosh, por jo për Hungarinë sepse mendoj se e kam informacionin e duhur. Uzuni, mendoj se do të luajë këtë radhë, është në formë shumë të mirë dhe mund të ketë shanse të luajë si titullar. Është shumë i motivuar, e kam parë gjatë gjithë lojës.

Thirrje për tifozët – Sigurisht që jam shumë i lumtur që më në fund tifozët do të rikthehen në stadium dhe do të na mbështesin. Është diçka e jashtëzakonshme Futbolli është sporti më i adhuruar në Shqipëri dhe jo vetëm dhe nuk ka kuptim pa tifozët. Në qoftë se ne do të kemi edhe mbështetjen e tyre në stadium, sigurisht që do të jetë një avantazh për ne. Periudhën e fundit gjatë pandemisë e kemi vuajtur shumë, sepse ndeshjet dukeshin si miqësore, pa tifozë. Dukej gjithçka pa karikimin e duhur. Këtë herë ndihem mirë që do të luajmë me tifozë në stadium.

Marrëdhënia me teknikun hungarez dhe pika e fortë e kundërshtarit – Trajnerin e Hungarisë e njoh shumë mirë dhe e vlerësoj shumë si në aspektin human edhe si trajner. Ka treguar se është një trajner shumë i aftë me Hungarinë. Sa i përket pikës më të fortë të Hungarisë është forca e kolektivit, jo e lojtarëve në veçanti. Grupi ka një frymë shumë të mirë, janë lojtarë që sakrifikojnë te pjesa e mbajtjes së topit në kontroll. Janë shumë kompaktë në mbrojtje dhe do të jetë shumë e vështirë për t’i mundur. Është ekip që të lë shumë pak hapësira, ne do të mundohemi t’i tërheqim pak përpara që ata të lënë pak hapësira mbrapa dhe t’i godasim. Do të jetë një sfidë e vështirë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë