68 klandestinë në kamion, arrestohet 40-vjeçari në Korçë

Screenshot 1 1 600x338

Policia e Korçës ka arrestuar një 40-vjeçar që u kap duke transportuar 68 emigrantë të paligjshëm në një kamion. Për të shmangur kontrollin, ai tentoi të korruptonte punonjësin e policisë me një kartëmonedhë 1000 lekë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 40 vjeç, banues në Gjirokastër.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Piskupat, Pogradec, shtetasin e mësipërm duke transportuar me mjetin tip kamion të markës “Benz”, 68 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 150 euro secilit iu ishte premtuar kalimi i tyre drejt vendeve të BE-së.

Në momentin e ndalimit, drejtuesi i mjetit E. K., ka tentuar të korruptojë me një kartëmonedhë 1000 lekë, punonjësit e policisë me qëllim shmangien e kontrollit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, njofton policia.