“I fundit’’ i drupunuesve, zanatçiu që frymëzohet nga historia e kultura

Ndonëse emërtohet si rruga e zejtarëve, sokaku I punimeve tradicionale në Gjirokastër, që dikur zhurmonte nga zanatcinjtë, sot ka shumë pak ustallarë që ushtrojne zanatin.

Një prej fanatikëve që e ka ruajtur prej më shumë se 30 vitesh zanatin, është Viktori, drupunuesi, i cili nuk ka hequr dorë pavarësisht vështirësive ekonomike. Madje ai shprehet se ky është një zanat me të cilin nuk ngopesh asnjëherë.

Viktori tregon se që të mbante këtë zanat nuk mjaftonte vetëm pasioni por i është dashur të përballojë edhe kostot, të ardhurat e pakta financiare për familjen e tij.

Rikthimi i vizitorëve në Gjirokastër dhe kërkesat e tyre për prodhime dhe arredime tradicionale që tregonin të kaluarën e këtij qyteti muze, ishte kthesa në punën e Viktorit, i cili tashmë ka mjaft kërkesa për punë t me dru.

Tashmë Viktori nuk ka më asnjë mëdyshje për profesionin që ka zgjedhur por si çdo zanatçi, edhe ai ka sekretet e veta të frymëzimit në punimet që bën. Dhe disa prej tyre i ka ndarë me ne.

Si një usta që punën e tij e bazon tek tradicionalja dhe historia, Viktori apelon institucioneve të trashëgimisë kulturore që të shpetojnë një orë e më parë shtëpitë e Gjirokastrës, të cilat po rrënohen së bashku me arredimet e papërsertishme të drurit, të cilat tregojnë edhe të kaluarën e këtij vendi, kulturën dhe zakonet e Gjirokastrës.