Pajisnin pa licencë udhëtarët me teste kundër COVID-19, 5 të arrestuar në Durrës

Teste covid 1100x620

Pesë persona kanë përfunduar në pranga dhe një tjetër është në kërkim  pasi kishin organizuar një skemë mashtrimi ku pajisnin udhëtarët në portin e Durrësit me teste të shpejta për COVID-19, pa qenë të licencuar për këtë aktivitet.

Bëhet fjalë për shtetaset E.H. 34 vjeç, banuese në Tiranë, A.S. 24 vjeçe  banuese në Durrës dhe A.P, 25 vjeçare, banuese në Durrës, si dhe për shtetasit E.A, 24 vjeç dhe E. Ç, 29 vjeç, të dy banues në kryeqytet.

Të arrestuarit kishin pajisur 483 persona të ndryshëm me testin ‘RAPID”” në një laborator në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar, pa qenë të licensuar nga instancat përkatëse, në kundërshtim me Urdhrin datë 23.07.2020 “Për miratimin e procedurës së kryerjes së testimeve molekulare RT-PCR, për SARS CoV-2 dhe njohjes së laboratorëve jopublike për kryerjen e testimit për nevoja administrative”.

 Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.