Disa lojtarë nuk ishin karantinuar, autoritetet shëndetësore ndërpresin ndeshjen Brazil-Argjentinë

Superklasikja Brazil-Argjentinë është ndërprerë në minutën e 7 të pjesës së parë. Arsyeja është se autoritetet shëndetësore braziliane nuk lejojnë që 4 futbollistë të Argjentinës të luajnë, për shkak se nuk kanë respektuar karantinimin.

Lojtarët në fjalë janë portieri Emiliano Martínez, mesfushori Lo Celso, mbrojtësi Romero dhe sulmuesi Buendía. Tre të parët ishin titullarë, ndërsa i katërti ndodhej në stol. Të katërt vijnë nga Premier League dhe të gjithë personat që shkojnë në Brazil nga Mbretëria e Bashkuar, duhet të bëjnë 14 ditë karantinë në Brazil.

Autoritetet shëndetësore donin që të mos i lejonin futbollistët që të dilnin nga hoteli, por gjithçka u duk se u zgjidh pas ndërhyrjes së institucioneve të futbollit të Amerikës së Jugut. Por, pak pasi nisi ndeshja, agjentë të autoriteteve shëndetësore hynë në fushë për t’i kërkuar lojtarëve të largoheshin nga stadiumi, duke u konfliktuar me futbollistët argjentinas.

Ekipi i Argjentinës braktisi fushën dhe ndeshja u pezullua.