Sindrit Guri nga Belgjika rikthehet te një ekip shqiptar, është Shkëndija

Guri shkendija 1100x620

Sindrit Guri rikthehet në një ekip shqiptar, pas eksperiencës me dritëhije në Belgjikë me Oostende.

Por ekipi nuk është një nga protagonistet e Kategorisë Superiore, si Kukësi që i dha famë shkodranit, por Shkëndija e Tetovës, që dëshiron të mbrojë titullin kampion në Maqedoninë e Veriut.

Tifozeria tetovarë u trondit ditë më parë nga largimi i Besart Ibrahimit, atij që vetë faqja zyrtare e kuqezinjve cilëson si “sulmuesi më i mirë i Shkëndijës i të gjitha kohërave”, me 147 gola nga viti 2015.

Një mision jo i lehtë për 27-vjeçarin shqiptar, ai i zëvendësimit të Ibrahimit, por edhe një mundësi për t’u rikthyer protagonist në fushë, pasi gjatë eksperiencës me Kukësin ai premtonte të ishte një nga pikat e referimit të Kombëtares.

Sindrit Guri me fanellën e Oostende

Probleme fizike dhe përshtatje nuk e kanë ndihmuar Gurin në Belgjikë, ku në 41 ndeshje në kampionat, rrallëherë si titullar,  ka realizuar vetëm 4 gola, 7 në total me ato në Kupën e Belgjikës dhe në Europa League. Por me aventurën e re në Maqedoni, ai shpreson rikthimin e formës.

“Kur e mësova se mund të vij në Shkëndijë, menjëherë më lindi dëshira që sa më shpejt të vij në Tetovë dhe të nënshkruaj. Jam tepër i lumtur që pas tre viteve përsëri kthehem në një ekip shqiptar, por edhe më i lumtur që i bashkëngjitëm një skuadre siç është Shkëndija, me gjithë armatën e tyre të tifozëve kuqezi”, ishin fjalët e para të sulmuesit shtatlartë.

  • LAJMI I FUNDIT | Apeli lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për Adriatik Llallën
  • LAJMI I FUNDIT | Ish-kryeprokurori është shpallur fajtor për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë