“Skenë ku abuzohet me të mitur”, ndalohet transmetimi i “Dragon Ball Super”

“Dragon Ball”, seriali vizatimor japonez shumë i famshëm në të gjithë botën, ashtu si edhe në vendin tonë, është ndaluar të transmetohet në një shtet të botës për një skenë ku protagonist është Mjeshtri Roshi.

Mësuesi i Gokut, një nga personazhet më të famshëm të serialit, është protagonist edhe në “Dragon Ball Super”, saga më e re e këtij seriali që transmetohet në shumë shtete, por jo më në Argjentinë.

Arsyeja është në serinë 91, në një skenë të së cilës Mjeshtri Roshi, i cili i ka dobësi femrat, shihet i mbyllur në një dhomë me një vajzë adoleshente. Ajo i kërkon që ai të mos e prekë, por Roshi nuk ia vë veshin dhe i afrohet.

Ministria e Grave dhe Diversitetit Seksual në Argjentinë është shprehur se seria 91 përmban një “skenë abuzimi nga ana e një të moshuari kundrejt një adoleshenteje. Kjo skenë është e papërshtatshme kur marrim parasysh problematikën me abuzimet seksuale me të mitur”.

Cartoon Network, rrjeti që transmeton “Dragon Ball Super”, ka bërë me dije se do të rishikojë seritë, për të shmangur skena të tjera të ngjashme.