16 shtatzëna në spital në Kosovë, 6 prej tyre trajtohen me oksigjen

Situata e rëndë me pandeminë koronavirus në Kosovë pasqyrohet në qendrat e përkujdesjes shëndetësore. Në repartin Covid të Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë kanë kërkuar trajtim 87 gra shtatzëna vetëm në valën e fundit.

Numri i shtrimeve është i konsiderueshëm. “Në repartin e Gjinekologjisë, në repartin e dedikuar COVID, për momentin janë të hospitalizuara 16 paciente. Gjendja e tyre është stabile në përjashtim të njërës, e cila është në gjendje pak më të rëndë shëndetësore. Po gjashtë paciente nga kjo shifër 16, janë me oksigjeno-terapi. Kanë nevojë për oksigjen permanent, por me një sasi dhe dozë të oksigjenit mbahet saturimi mbi 90”, thotë Jakup Ismajli, drejtor i Klinikës Gjinekologjike në Kosovë. Në ditët e fundit në Kosovë kanë ndërruar jetë dy gra shtatzëna nga Covid-19, njëra 28 dhe tjetra 26 vjeç. Ky nivel i lartë infektimi mes këtij grupi qytetarësh vjen si shkak i mungesës së imunizimit.

“Nga të gjitha këto që kanë qenë të hospitalizuara në këtë valë, asnjë nuk është e vaksinuar.”

Ndërkohë, shtimi i rasteve të reja, vdekjeve dhe i të shtruarve në spitale ka rritur interesimin e qytetarëve për t’u vaksinuar.

Që prej nisjes së fushatës së imunizimit, në Kosovë janë administruar mbi 920 mijë doza të vaksinave anti-covid. Për të përshpejtuar këtë proces, qendrat e imunizimit do të qëndrojnë hapur edhe gjatë të dielave.