28 viktima në 24 orë nga Covid-19 në Kosovë. Mbërrijnë mbi 550 mijë vaksina Pfizer

koronavirusi koalicioni kosove 1100x620

Vijon të mbetet i lartë numri i viktimave nga koronavirusi në Kosovë. Gjatë 24 orëve të fundit 28 qytetarë kanë humbur jetën nga COVID-19, ndërsa raportohen për 489 raste të reja në 6.310 testime të kryera. Sot janë shëruar 859 qytetarë, duke e çuar në 124.711 numrin e përgjithshëm të të shëruarve në vend, kurse numri total i rasteve aktive është 25.290.

Ndërkohë mbi 550 mijë doza të vaksinës Pfizer janë dorëzuar sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës me qëllim arritjen e imunizimit të popullatës në masën 60%. Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njofton se pjesa më e madhe e tyre dhuruar nga SHBA përmes mekanizmit të Covax dhe pjesa tjetër përmes marrëveshjes me kompaninë Pfizer.

“503.100 doza janë pjesë e donacionit të SHBA për Kosovën, të cilat në Kosovë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX, ndërsa 53.820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer. Me arritjen e këtyre vaksinave dhe atyre që MSH i ka në stok, procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19 do të fuqizohet edhe më tej, me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vaksinimin e 60% të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit”.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të grup-moshës mbi 16 vjeç sikurse edhe kategorisë së fëmijëve të moshës prej 12-15 vjeç me indikacione mjekësore, që të vaksinohen, për t‘u mbrojtur dhe për të frenuar përhapjen e COVID-19. Gjithashtu MSH u bën thirrje grave shtatzëna që të vaksinohen sikurse edhe nënave gjidhënëse, duke qenë që nuk ka asnjë dëshmi shkencore që vaksinimi kundër COVID-19 shkakton probleme për shtatzënësinë, apo të lidhura me fertilitetin.