Çekiçi: Në fillim pikët ndaj San Marinos, goleada do të ishte ekstra

endri cekici 1100x620

Endri Çekiçi, së bashku me Kumbullën, ishin dy futbollistët e kombëtares që folën në konferencën për shtyp para ndeshjes së të mërkurës ndaj San Marinos. Çekiçi u shpreh se do të ishte speciale nëse 3 pikët ndaj kundërshtarit të radhës do të shoqëroheshin edhe me goleadë. Ndërkohë, ai parashikon një të ardhme të ndritur të kombëtares shqiptare.

“Në pjesën e parë kemi bërë ndeshje të mirë edhe me Poloninë. Na tha trajneri në pushim dje që mos bënim të njëjtat gabime se mund të na përsëriteshin të njëjtat situata. Besoj se kemi një grup me lojtarë të talentuar, besoj se në vitet e ardhshme do kemi ekip kompetitiv jo vetëm në rajon, por edhe në botë”.

“Minutat? Natyrisht që çdo lojtar do të luajë, e rëndësishme është që të jesh pjesë e grupit, vjen gradualisht, edhe nëse nuk luaj do bëj maksimumin. Vij këtu për fanellën. Nuk na vendos në trysni kundërshtari sepse e dimë çfarë cilësish kemi, besojmë te lojtarët dhe mund të arrijmë vendin e dytë në grup. Ka shumë lojtarë të rinj dhe këtu do e shohim njëri-tjetrin për shumë vite. Në ndeshjet në vazhdim hap pas hapi, loja do të vijë duke u përmirësuar”.

“Goleadë ndaj San Marinos? Do ishte ekstra, por në fillim tri pikët kanë vlerë. Besoj se kemi ndryshuar stilin e lojës, jemi më ofensivë, do të hyjmë për të shënuar”, tha Çekiçi.