Europa dhe pandemia, Hungaria vendi më i goditur, Danimarka më pak e prekura

E njëjta pandemi, por eksperienca të ndryshme. Është një Europë me dy shpejtësi ajo e fotografuar në një raport të Këshillit të Europës për marrëdhëniet me jashtë, nën titullin “Ndasitë e padukshme të Europës, si po e polarizon Covid-19, politikën europiane?”.

Vendet e Europës Jugore dhe Lindore janë goditur më shumë krahasuar me vendet skandinave dhe Gjermaninë. Dëmet e marra në konsideratë, përfshijnë si aspektin shëndetësor ashtu edhe atë ekonomik. Ndryshimi më i dukshëm është mes Danimarkës, ku 72% e popullsisë thonë se nuk është prekur nga Covid-19, dhe Hungarisë ku vetëm 35% pohon të njëjtën gjë. Në Itali gati gjysma e popullsisë ka ndjerë efektet e covid-it.

Ka pastaj, edhe diferencë brezash. Vetëm 43% e personave nën moshën 30-vjeçare thonë se nuk kanë vuajtur pasoja negative nga pandemia, krahasuar me 65% e atyre mbi 60 vjeç.

“Ka një ndjesi të madhe zemërimi mes të rinjve. Atyre iu tha se bëhej fjalë për një krizë që do të godiste të moshuarit, por në fakt ata ndihen viktimat e vërteta. Të rinjtë ndjejnë se u janë nënshtruar kufizimeve të padrejta të lirisë së lëvizjes dhe stilit të jetës”, shprehet Mark Leonard, bashkëautor i raportit.

Me shumë se gjysma e europianëve thonë se nuk janë prekur nga pandemia, 30% janë prekur ana shëndetësore, e 16% nga ajo ekonomike. Raporti sugjeron se gati gjysma e qytetarëve europianë fajësojnë qeveritë përkatëse për keqmenaxhim të pandemisë dhe përhapje të virusit. Europa duket kështu e ndarë edhe përballë pandemisë, por vetëm mbi një gjë janë të gjithë dakord; gati 80% e europianëve ankohen për humbje të konsiderueshme të lirisë.